390 policë të lënduar gjatë detyrës në tri vitet e fundit – Ku po

0%

Gjatë 3 viteve të fundit, 2 zyrtarë policorë kanë vdekur gjatë kryerjes së detyrës, 55 kanë vdekur gjatë detyrës, ndërsa janë lënduar 390 zyrtarë policorë në atë që është kategorizuar si lëndime në detyrë. Zyrtari i fundit i rënë në detyrë është polici që vdiq pasi u godit nga një veturë në pikën kufitare të Vërmicës.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi që tregon për vdekjet e lëndimet e zyrtarëve policorë në vendin e punës e po ashtu kushtet e tyre të punës dhe mungesën e pajisjeve të punës. Përveç zyrtarit policor i cili u godit për vdekje nga një makinë në pikën kufitare, rastet e lëndimeve të zyrtarëve policorë në trafikun rrugor janë të shumta.

Gjatë emisionit u trajtua edhe mënyra e këtyre aksidenteve se a ishin të rastit apo Policia e Kosovës ka probleme me sigurinë e pjesëtarëve të saj që ndalin makinat në rrugët e vendit. Sipas Sindikatës së Policisë dhe ekspertëve të fushës, Policia e Kosovës vazhdon të përballet me mungesë të sigurimit shëndetësor për zyrtarët e saj, e po ashtu edhe me mungesa të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Halit Shaljani sot është avokat ndërsa në punën e tij paraprake kishte punuar shef i ndërrimit në njërin prej stacioneve të mëdha të kryeqytetit. Ai konstaton se ndalja e makinave në rrugë pa pajisjet e duhura nuk është sipas standardeve dhe zyrtarët policorë e vënë veten në rrezik në rrugët ku zhvillohet shpejtësi e lartë si autostrada e magjistrale.

“Në vazhdimësi Policia e Kosovës ka pasur probleme me kushtet apo thënë më mirë gjithmonë është munduar t’i përmirësojë kushtet sepse kushtet kanë qenë jo mjaft të mira, si pajisja me vetura apo me uniforma apo me sigurim shëndetësor që ka qenë kruciale në punën e Policisë e që mendoj se është dashur të përfundojë kohë më parë.

Disa nga kushtet të cilat mungojnë i afektojnë ata në kryerjen e detyrave policore” – tha Shaljani. Avokati tregoi se ka raste kur policët bëjnë pikë kontrolli në autostrada, i ndalojnë veturat që e kanë të lejuar të zhvillojnë shpejtësi në 130 kilometra në orë mirëpo ka ngasës që vozisin me shpejtësi shumë më të madhe.

Shaljani thekson se përpjekja për të ndalur veturat që lëvizin me shpejtësi të tillë është një rrezik për zyrtarët policorë. Lidhur me sigurinë e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të detyrës “Kallxo Përnime” ka kërkuar një interpretim nga një profesionist tjetër i fushës. Jetullah Aliu, tash avokat, për disa vite ka punuar në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Aliu potencon qartë që ajo çka ndodh në rrugët e vendit nuk është siguri për policët. “Kemi pasur raste të tilla kur ka pasur edhe aksidente pikërisht nga papërgjegjësia gjatë ndaljes së një automjeti në një vend jo të duhur” – thekson ai. Sipas tij, zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut duhet të gjejnë pozita të sigurta sa i përket ndaljes së një automjeti.

Ai kritikon ish-kolegët që rrezikojnë shumë kur ndalin automjetet. Aliu përmend një rast kur një zyrtar policor ka dalë nga një rrugë në rrugën tjetër për të ndaluar një veturë. Sipas tij, me këso veprimesh përveç që rrezikojnë veten, ata rrezikojnë edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Në të dhënat publike janë disa raste ku policët janë lënduar nga makinat në lëvizje, të cilat nuk i respektojnë rregullat. Ekspertët e fushës së sigurisë së punës së Policisë potencojnë që një pjesë e këtyre aksidenteve vijnë nga mungesa e pajisjeve për operativët e Policisë.

Mungesat e kushteve për punë e të cilat mund të ndikojnë direkt në punën efektive policore i përmend edhe Jetullah Aliu, ish-zyrtar policor dhe ish-zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës. “Policia e Kosovës ende është pa sigurim shëndetësor. Policia e Kosovës është me një pensionim të moshës 65, sikur çdo qytetar tjetër.

Është në procedurë ligji për pensionimin e Policisë së Kosovës i cili është i domosdoshëm. Aq sa kam unë informacion është një numër shumë i madh të cilët trajtohen nga sëmundjet e ndryshme dhe që kanë telashe shëndetësore. Edhe sa i përket veshmbathjeve, veshjeve vlerësoj së duhet të përkrahen këta zyrtarë”- thekson Aliu.

Lëndime të zyrtarëve policorë ka pasur edhe në autostradat e Kosovës, kjo pasi shteti ende nuk ka arritur zëvendësimin e radarëve të dorës me radarë statikë, të cilët do i mbronin policët nga ekspozimi i rrezikut direkt në trafikun rrugor.

“Nuk e di qysh ka me qenë në të ardhmen por në praktikat e vendeve të rajonit kanë vendosur shumë radarë statikë, ku polici nuk ka nevojë që të jetë afër radarit sepse ai e kryen krejt punën e vet, edhe shënimet shkojnë në mënyrë elektronike në Policinë e Kosovës, ku shqiptohen edhe gjobat.

Vendosja e radarëve edhe kish qenë më mirë edhe policët nuk ishin rreziku kaq shumë në komunikacion d.m.th. gjatë ndaljes së veturave nuk ishin rreziku por edhe kish me qenë më efikase”- thekson Avdi Hoti kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, i cili ka treguar se që nga janari i vitit 2024 janë lënduar 390 zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket vitit 2024, 2025 dhe pjesës së parë të vitit 2026 në Policinë e Kosovës kemi pasur 390 lëndime në detyrë – është shqetësuese, por nuk kanë ardhur vetëm prej komunikacionit por kanë ardhur edhe prej rasteve të ndryshme sepse ne kemi lëndime edhe gjatë aksioneve të ndryshme ku mundet me na u lëndu polici por ma shqetësuese është se këta policë nuk kanë ndonjë ligj apo rregullore që i kompenson për këto lëndime përveç se shërimit që e kemi Drejtorinë e shërbimeve shëndetësore që merret me pjesën e pagesave të barnave ose ekzaminimet mjekësore të ndryshme, do të thotë nuk kanë ndonjë dëmshpërblim ndërsa është edhe ma shqetësues vdekja e policëve gjatë detyrës që janë 55 policë që nga viti 2024, 2025 dhe pjesën e parë te këtij viti.

Këto 3 vite i kemi pasur dy, kemi pasur rreshterin Afrim Bunjakun dhe polici që ka vdekur tash së fundi në pikën kufitare të Vërmicës” – thekson Hoti. Lidhur me këto që i thonë ekspertët e fushës dhe nga Sindikata e Policisë emisioni “Kallxo Përnime” ka tentuar të intervistojë edhe ndokë nga Policia e Kosovës. Por, ky institucion ka kthyer vetëm përgjigje me shkrim.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke avancuar me pajisje teknologjike për mbikëqyrje dhe kontroll të trafikut ku në vitet e fundit jemi furnizuar me pajisje inteligjente dhe radar mobil për kontroll të trafikut në autostrada dhe rrugë nacionale me qëllim të rritjes së sigurisë për vet zyrtarët policor ashtu edhe për pjesëmarrësit në trafik.

Në koordinim me institucionet tjera relevante në nivel qendror dhe lokal jemi duke u angazhuar ne zgjerimin e kapaciteteve teknologjike për mbulim të mbikëqyrjes së trafikut përmes kamerave të sigurisë e në të ardhmen edhe vendosjen e radarëve statik në lokacionet e identifikuara me rrezikshmëri më të lartë në rrugët lokale, nacionale e autostrada.

Në baza ditore zyrtarët policor udhëzohen për mënyrën e kryerjes së detyrave dhe pajisjeve që duhet të kenë në dispozicion para se të angazhohen në teren varësisht nga kushtet dhe angazhimet specifike që kanë.

Jemi pjesë e grupeve punuese në nivel qendror për plotësim/ndryshimin dhe avancimin e bazës ligjore në fushën e trafikut me theks të veçantë në avancimin dhe përdorimin e pajisjeve teknologjike për një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”- thuhet ne përgjigjen e Policisë. www.kallxo.com

Burimi: Kallxo