Lalë Gega

0%

Tik-taku i zemrës sime kishte një ritëm të pazakontë. Gjithë qenien ma kishte pushtuar një padurim, ndërsa ajo nuk po dukej, edhe pse gjithnjë ishte korrekte dhe e përpikët. Vështroja herë në një drejtim të rrugës e herë në një tjetër, në atë kryqëzim rrugësh, në afërsi të së cilit gjendej stacioni i autobusëve që niseshin prej qytetit të vogël drejt kryeqytetit.

Atij qyteti, si bedena kalash madhështore, i qëndronin përreth një kurorë malesh të veshura me një gjelbërim të hijshëm e të ëmbël si vetë pranvera.

Në lulishten pranë stacionit të autobusëve, një burrë trupshkurtër, me flokë të bardha si bora në malet e larta që ende rrinte si kapuç mbi majat e maleve, vështronte njërën pas tjetrës bimët zbukuruese të asaj lulishteje, në mesin e së cilës gjendej një trëndafil i kuq si buzët e saj të ëmbla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Diku, në krye të lulishtes, ishte një trëndafil i bardhë në të cilin kishin çelur vetëm dy gonxhe të bardha, si flokët e plakut, që vinte e shkonte nëpër lulishten ngjitur me hotelin e vjetër.

Gjithnjë i kisha dashur pa fund lulet, dhe kurdoherë, në tavolinën e vogël në mes të dhomës Nr. 65, atje në katin e tretë të godinës Nr. 3 në qytetin “Studenti”, kishte lule të freskëta, e për to jo vetëm unë, por edhe shokët e mi kujdeseshin që ato të mos thaheshin e vyshkeshin.

Vetëm Gaspri ishte disi ndryshe; ai, sa herë nuk gjendej kush tjetër në dhomë, e merrte tufën e luleve nga vazoja në mesin e tavolinës dhe, si pelivan, drejtohej për te godina 8 që t’ia dhuronte tw dashures së tij, duke e lënë tavolinën tonë të shkretë.

Po asnjëri prej nesh nuk fliste, veç qeshnim me njëri-tjetrin, dhe për një kohë të shkurtër, o njëri o tjetri, binte një tufë të re lulesh. Në fakt, vetëm Gaspri e kishte deklaruar dashurinë me Oltën, ndërsa gjithë të tjerët bënin si shenjtorë, po sapo binte mbrëmja, njëri pas tjetrit, s’dihej se ku humbnin, për një a dy orë.

Kështu edhe mua më kishte rastisur shpesh të kthehesha në dhomën time me ndonjë tufë lulesh në dorë, të cilën, pasi e vija në vazo, e sodisja disa çaste. …Me vështrimin e hedhur te plaku, kisha humbur në një botë tjetër dhe isha zhytur në jetën time, në disa kujtime të së shkuarës.

Pikërisht atëherë, në shkurt, kur kishin lulëzuar mimozat e para, unë kisha hedhur disa hapa të shpejtë dhe isha ndalur para saj, si i zënë në faj, dhe kisha mërmëritur, si të isha memec, fjali që në fakt nuk kishin as fund, as fillim, por që gjithsesi ishin kuptuar prej saj.

E qysh atëherë, jeta ime ishte bërë krejt tjetër. – Hë more, pse nuk më merr një trëndafil, apo harrove se atëherë, me tufat e mimozave? Apo tani mendon për ndonjë tjetër? – foli Anisa nga pas meje dhe, si i lëshoi përdhe dy çantat që mbante në duar, m’u hodh në qafë.

Pasi e putha fort, e gjithë mall, i mora çantat dhe, si i vendosa në bagazhet e autobusit, e pyeta shoferin se sa kohë kishte akoma për t’u nisur autobusi. – Po ka edhe më se një çerek ore, – tha shoferi. – Sa bukur, shih ç’trëndafila të bukur, – tha Anisa, dhe unë nuk prita më, por fillova të shkel mbi bar dhe u drejtova nga trëndafili dhe këputa dy prej tyre.

Plaku flokëbardhë, porsa më pa, nxitoi drejt meje. – Ç’bën more djalë? – Unë, i zënë në faj, nuk luajta nga vendi, ndërkohë ai u afrua ngadalë drejt meje. – Më fal, – i thashë dhe vështrimin e hodha nga Anisa, që qeshte dhe shikonte nga unë. – Më fal, – përsërita sërish, – unë jam student, ndoshta kam gabuar që nuk ju pyeta.

Plaku më vështronte ngultas dhe nuk fliste asnjë fjalë, aq sa unë mendova për një moment se do të bëhej i egër dhe do të lëshonte një duf sharash mbi mua. – Nga je? – pyeti ai me një zë të butë e të lehtë që dridhej. – Nga këtu jam, unë jam djali…

Fytyra e tij mori një pamje tjetër. – Më falni, – përsërita sërish, dhe bëra të largohem. – Jo more djalë, jo, – mërmëriti plaku, dhe pashë se dy pika loti kishin marrë udhë e rrokulliseshin nëpër faqet e tij. Kjo më bëri të ndihesha shumë keq. Po nuk dija çfarë t’i thosha më tej, e as çfarë të bëja.

Nga xhepi i pasmë i pantallonave, plaku nxori një palë gërshërë dhe nisi të këpusë, njërin pas tjetrit, disa trëndafilë. Nuk po kuptoja asgjë; ai qante për dy trëndafilat që kisha këputur unë nga e njëjta rrënjë, e vetë tani po i këpuste, njërin pas tjetrit, disa trëndafilë të asaj bime. – A bën ta shoh atë vajzë? – mërmëriti plaku.

Unë u hutova fare dhe nuk po merrja vesh asgjë. – Ja, ajo aty, – thashë me gjysmë zëri dhe bëra me dorë nga Anisa, e cila priste në këmbë. – Qenka vërtet si një thëllëzë, – mërmëriti.

Pasi ua preu trëndafilave gjithë gjembat që kishin nëpër degë, nxori nga xhepi një fjongo dhe lidhi me të tufën e madhe e të bukur të trëndafilave, dhe ma zgjati mua. – Prit këtu! – më tha, dhe nxitimthi, me hapa të lehtë e të shkathët, u drejtua në krye të lulishtes, ku ishte trëndafili i bardhë, dhe, pasi këputi të dy gonxhet, u kthye sërish te trëndafili i kuq, ku këputi edhe disa trëndafilë të tjerë, duke lënë vetëm gonxhet e paçelura.

Bëri kështu edhe një tufë tjetër dhe më tha: – Merre more bir, paç jetë të lumtur! Isha shtangur i tëri. Ai, vetëm pak çaste më parë, ishte turrur drejt meje gjithë inat, për dy trëndafilat që kisha këputur, e e kisha parë të përlotej; po pastaj vetë kishte këputur gjithë trëndafilat e çelur dhe kishte bërë me ta ato dy buqeta lulesh, e tani m’i dhuronte të dyja mua. – Merri, të pastë gjyshi, merri, qoftë e bardhë si këta dy trëndafilë të bardhë jeta juaj! – Më fal, – mërmërita unë…

Po nuk pata mundësi të thosha gjë tjetër. – Merri, biri im, – më tha plaku, – i ke prej Lalë Gegës…. Shoferi i ra borisë së autobusit, si për të thënë se po nisej, ndërsa nga dritaret e autobusit vinin zërat e bashkëmoshatarëve të mi që thërrisnin: “Vrapo, Agron, se u nis autobusi!”

Kështu që unë vrapova drejt tij me të dyja tufat e trëndafilave në dorë, pa kuptuar asgjë, dhe, pasi zura vend, vështrimin e hodha nga ai, atje në mes të lulishtes, pranë trëndafilit të kuq, që kishte mbetur vetëm me gonxhet e paçelura. Autobusi filloi të rrëshqasë ngadalë drejt rrugës kryesore, dhe Lalë Gega mbeti aty duke bërë me dorë, derisa unë e humba pas pallateve.

Ia dhurova tufën e luleve Anisës dhe i thashë se na i kishte dhënë Lalë Gega, që na kishte uruar jetë të lumtur e të pastër si trëndafilat e bardhë. – Uau, Anisa, s’do të më japësh vetëm mua një? – i tha Flora. Anisa i shkëputi dy prej tyre dhe ia dha Florës. – Merre, Flora, njërin e ke për Eugjenin! – Faleminderit. – Uroje edhe Lalë Gegën, – i thashë unë.

Pak më tej, Genti me Fatbardhën. – Anisa, po për ne s’ka? – tha Fatbardha. – Po ti Gentin aty e kishe, – tha, gjithë krenari, Anisa, dhe këputi dy të tjerë për Gentin dhe Fatbardhën. Kështu, të gjithë morën nga lulet e Anisës, dhe të gjithë e mësuan emrin e Lalë Gegës, po unë nuk e preka tufën e trëndafilave të kuq, në mes të së cilës ishin dy trëndafilë të bardhë.

Ishim kthyer në qytetin “Studenti”, dhe unë ia kisha dhuruar gjysmën e tufës së trëndafilave të dashurës sime; një trëndafil të bardhë e kisha marrë për vete, e një ia kisha dhënë asaj. Po asgjë nuk kisha kuptuar, dhe kjo histori shpesh më ishte kujtuar, derisa trëndafilat ishin tharë plotësisht.

Ai trëndafil i bardhë kishte qëndruar në vazon e luleve, në mes të tavolinës në dhomën nr. 65, në katin e tretë të godinës Nr. 3, deri sa ishte tharë e petalet i kishin rënë të gjitha. “Më janë tharë trëndafilat e Lalë Gegës,” më tha një natë, para godinës Nr. 8, e dashura ime. Po ne nuk ktheheshim dot, se ishim në sezionin e provimeve, kështu që kaluan muajt e gjatë të pushimeve verore.

Nuk më rastisi ta shihja më Lalë Gegën, dhe kjo histori filloi të zbehet në kokën time. Krejt atëherë, kur unë e kisha harruar, u rikthye në kujtesën time historia e trëndafilave. Bashkë me time shoqe, me të cilën nuk kishim as një vit martesë, kaloja pranë tabelës ku viheshin lajmërimet e vdekjes, dhe pashë fytyrën e plakut të trëndafilave, që të nesërmen varrosej.

Brenda meje sikur u këput një fill. – Ç’pate, pse je zverdhur? – mërmëriti ime shoqe. – Ka vdekur Lalë Gega. – Kush? – Lalë Gega. – Kush është Lalë Gega? – Ja, ky plaku, s’të kujtohet? – Jo, unë s’e kam parë kurrë. – Si nuk e ke parë kurrë? – Jo, kurrë, – foli ajo gjithë habi. – Po kush është ky, se më plase kurioziteti? – Ky është Lalë Gega, Anisa, si s’e kujton?

Një çift i moshuar kaloi pranë nesh. – O ka vdekur ky armiku i dreqit, – foli, gjithë inat, gruaja, që dukej sikur nuk kishte kund asnjë pikë shpirti. – Mos fol ashtu, grua! – foli i shoqi, – ato punë nuk i dimë ne; tjetërkush i di e i gjykon. – Si s’e kujton Lalë Gegën? – i thashë sime shoqeje, dhe vështrimin e hodha nga hapat e asaj gruaje llafazane, që vazhdonte të hidhte baltë mbi Lalë Gegën edhe pas vdekjes. – Prit, – tha Anisa, – a s’e dëgjove atë grua që tha se ai ka qenë armik? – Lëri këto, Anisa; Lalë Gega është ai plaku që na dhuroi tufat e trëndafilave. – Oh!

Po më kujtohet tani. Por si duket, ai… – Çfarë “si duket”? Ai ka qenë një njeri me shpirt të madh. Mua më ka uruar me gjithë shpirt, dhe më ka dhënë, një për një, gjithë trëndafilat e lulishtes për ty, e ti guxon të hedhësh baltë mbi të sot, sikur të ishe shtrigë. – Pusho, Agron, se po të dëgjon njeri. – Si të pushoj? – Jo, Agron, po kushedi si është puna me të, ne s’e dimë tamam kush ka qenë.

U kthyem në shtëpi, dhe unë e pyeta nënën time se kush ishte Lalë Gega. – Eh, mor bir, ishte burrë i dheut. Njeri që nuk vritej për gjak. Kushëriri yt ishte shkolluar jashtë shtetit, dhe këtu e patën internuar… Sa herë shoh të rinj që u dhurojnë të dashurave të tyre trëndafila të kuq, gjithnjë më vjen në mendje Lalë Gega.

Kohët ndryshuan, dhe unë, bashkë me tim bir, një ditë shkuam ndër varreza të mbillnim disa trëndafilë rreth varrit të tim eti. – Si thua? – i thashë tim biri, që ishte i vogël. – T’ia mbjellim një trëndafil edhe varrit të Lalë Gegës? – Po kush është Lalë Gega? – pyeti ai, dhe unë, ndërsa hapja gropën e vogël për të mbjellë trëndafilin, i tregoja historinë e Lalë Gegës.

Në fakt, çdo pemë e lulishteve sikur mban emrin e tij; ai vetë i kishte mbjellë të gjitha pemët e qytetit tonë të ri, mes maleve.

Burimi: Bota Sot