KEDS gjobitet me 65 mijë euro për përdorimin e njehsorëve me

0%

Operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 65 mijë euro gjoba administrative për përdorimin e njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të fundit në gjithë territorin e Kosovës janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim pa verifikimin e vlefshëm metrologjik.

Sipas MINTI-së, për këto shkelje KEDS-it i janë shqiptuar 13 gjoba administrative, me vlerë totale prej 65 mijë eurosh. “Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e MINTI-së.

Ministria ka bërë të ditur se kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

“Aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi”, ka njoftuar MINTI.

MINTI ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo dyshim apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të kësaj ministrie. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi