Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me kritikat e opozitës për mungesë rezultatesh në bujqësi, theksoi se të dhënat flasin qartë për përmirësime të dukshme dhe për sanimin e gjendjes së rëndë të trashëguar nga qeveritë e mëparshme.
Ai rikujtoi se, sipas tij, qeveria e kaluar ka lënë pas vetes një situatë të rënduar: paga të papaguara në ndërmarrjen “Ujësjellësi”, akumulime të degraduara, probleme serioze me furnizimin me ujë për bujqit, borxhe të pashlyera ndaj fermerëve dhe vonesa në pagesat e drejtpërdrejta për vitet 2020–2021.
Mickoski theksoi se këto obligime tashmë janë drejt përfundimit dhe se me ribalancin do të përmbyllen edhe pagesat e mbetura për bujqit dhe blegtorët. Kryeministri njoftoi se cikli i aplikimeve për subvencionet e vitit 2026 ka filluar dhe se në dy vitet e fundit janë paguar mbi 15 miliardë denarë subvencione të drejtpërdrejta për bujqit.
Sipas tij, prodhimi bujqësor është rritur, ndërsa deficiti tregtar në import‑eksportin e produkteve bujqësore është ulur. Mickoski vlerësoi se këto rezultate janë arritur pavarësisht, siç tha, “kataklizmës së trashëguar” nga qeveria e mëparshme e LSDM‑së dhe BDI‑së, si dhe nga partia E Majta, e cila tani është pjesë e koalicionit opozitar.
Ai shtoi se opozita do të vazhdojë të pengojë punën e Qeverisë, por se ekzekutivi mbetet i fokusuar në prioritetet dhe politikat e veta.
