Teksa po përgatiten për përballjen e dyfishtë në Ligën e Konferencës kundër klubit slloven Bravo, futbollistët e Shkëndijës duhet të mendojnë edhe për sfidën e parë në kampionatin vendor. Ajo do të luhet në një stadium të pazakontë dhe në termin të mbrëmjes.
Ndeshja mes Shkëndijës dhe Skopjes, e vlefshme për javën e parë të sezonit të ri në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë, do të zhvillohet të dielën në Qendrën Stërvitore “Petar Milloshevski”. Arsyeja pse Shkëndija e Tetovës do ta luajë këtë ndeshje si vendase në Shkup është rindërtimi i stadiumit të saj në Tetovë.
Për më tepër, klubi tetovar do t’i zhvillojë katër ndeshjet e para si vendas pa praninë e tifozëve, për shkak të një pezullimi të shqiptuar nga Komisioni Disiplinor. Artim Pollozhani do të debutojë në stolin e Shkëndijës në kampionat, pikërisht në ndeshjen kundër FC Skopjes dhe do të synojë ta përmirësojë vendin e dytë të arritur sezonin e kaluar.
Në këtë takim pritet që minutat e para me fanellën e Shkëndijës në sezonin e ri t’i regjistrojnë Gjorgjievski, Dimovski, Manev, Florent Ramadani, Kryeziu dhe të tjerë.
