Për më shumë se tre vjet, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur një Sekretar të Përgjithshëm me mandat të plotë, një pozitë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet për funksionimin administrativ dhe organizativ të institucionit më të lartë ligjvënës në vend.
Që nga pensionimi i ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Ismet Krasniqi, në qershor të vitit 2023, kjo pozitë është ushtruar vetëm nga zyrtarë me mandat të përkohshëm. Pas Krasniqit, detyrën e mori Arben Loshi, si zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm.
Loshi e mbajti këtë funksion deri në fillim të muajit mars, kur u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës , pak kohë pasi Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit. Pas tij, në këtë pozitë u caktua Xheladin Hoxha, i cili e ushtroi detyrën për më pak se pesë muaj.
Së fundmi, Hoxha u zëvendësua nga Feride Podvorica, e cila aktualisht ushtron detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit. Ndërkohë, më , Kuvendi ka hapur konkursin për plotësimin e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm, me mandat katërvjeçar. Deri në këto momente, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar , derisa afati i fundit për formimin e këtij institucioni është 7 gushti.
Sekretari i Përgjithshëm është figura kryesore administrative e Kuvendit dhe përgjegjësi i funksionimit të strukturave që mbështesin punën e deputetëve, komisioneve parlamentare dhe organeve drejtuese të institucionit. Kjo pozitë nuk lidhet me vendimmarrjen politike të Kuvendit, por me garantimin e funksionimit profesional, ligjor dhe efikas të administratës së tij.
Sipas përshkrimit të pozitës, Sekretari i Përgjithshëm këshillon Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit në përcaktimin e politikave, strategjive dhe objektivave institucionale, koordinon hartimin dhe zbatimin e programeve të punës dhe udhëheq Administratën e Kuvendit.
Ai është përgjegjës për organizimin e punës së administratës, menaxhimin e burimeve njerëzore, përgatitjen dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit, zbatimin e vendimeve të Kryesisë, si dhe sigurimin e kontrollit të brendshëm financiar. Po ashtu, Sekretari i Përgjithshëm përfaqëson Administratën e Kuvendit në takime dhe forume brenda dhe jashtë vendit.
Sekretari i fundit i Përgjithshëm me mandat të plotë ishte Ismet Krasniqi, i cili e mbajti këtë pozitë nga viti 2006 deri në pensionimin e tij më .
