Gjatë datës priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër, erëra të forta me karakter stuhish. Kështu ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), i cili bën të ditur se nga ky mot do të jetë i prekur gjithë territori i Republikës së Kosovës nga ora –.
Disa nga pasojat që mund të vijnë, sipas IHMK-së, janë: rreziku i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët; dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike; pengesa në sistemet e telekomunikacionit; përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive; dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshri dhe erërat e forta si dhe rritje të rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
Instituti u sugjeron qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive; të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike; të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshri dhe erërat e forta; të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
Po ashtu t’i ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit. “Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, sipas nevojës, do të publikojë përditësime të mëtejshme”- thuhet në komunikatë.
Ndryshe, një person i moshës 61-vjeçare ka vdekur në Pozheran të Vitisë pas lëndimeve në kokë të pësuara pasi është rrëzuar në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij. Policia dyshon se kjo ka ndodhur si pasojë e motit të ligë. Policia njoftoi gjithashtu se edhe dy burra nga i njëjti fshat kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.
