Finalja e Kampionatit Botëror mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, New Jersey, por në një version ndryshe nga ai që njohin tifozët e futbollit amerikan. Për të përmbushur standardet e rrepta të FIFA-s, organizatorët kanë kryer një sërë ndryshimesh të mëdha në stadium, duke përfshirë edhe heqjen e 1.740 ulëseve nga tribunat.
Fusha u zgjerua sipas standardeve të FIFA-s “MetLife” është një nga stadiumet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe shërben si shtëpia e skuadrave të NFL-së, New York Giants dhe New York Jets. Megjithatë, ai është projektuar për futbollin amerikan, ku fusha është më e ngushtë se ajo e futbollit.
“Për finalen e Botërorit, FIFA kërkoi një fushë me përmasa standarde 105 x 68 metra, si dhe zona të mjaftueshme sigurie rreth saj. Për këtë arsye u hoqën 1.740 ulëse, kryesisht në pjesën e poshtme të tribunave dhe në qoshet e stadiumit, duke krijuar hapësirën e nevojshme.
Si pasojë, kapaciteti i stadiumit u reduktua nga mbi 82.000 vende në 80.663 spektatorë, që është kapaciteti zyrtar për finalen”, ka shkruar media kroate “Index”. Ulëset do të rikthehen Heqja e ulëseve nuk është një ndryshim i përhershëm. Ato janë modulare dhe, pas përfundimit të Kupës së Botës, do të vendosen sërish në pozicionet e tyre.
Stadiumi më pas do të rikthehet në konfigurimin e zakonshëm për ndeshjet e NFL-së. Nga bari artificial në bar natyral Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ishte zëvendësimi i barit artificial me bar natyral.
Në përdorimin e përditshëm, “MetLife” ka sipërfaqe sintetike për ndeshjet e futbollit amerikan, por rregulloret e FIFA-s kërkojnë që të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës të zhvillohen në bar natyral. Për këtë arsye u instalua një sistem i posaçëm me bar natyral, i cili u testua gjatë gjithë turneut për të garantuar cilësi dhe siguri maksimale për lojtarët.
Ndryshime edhe në stadiume të tjera “MetLife” nuk është i vetmi stadium amerikan që iu nënshtrua transformimeve. Edhe impiante të tjera të ndërtuara kryesisht për NFL, si ato në Dallas, Atlanta, Houston dhe Los Angeles, u përshtatën me kërkesat e FIFA-s, duke zgjeruar fushat dhe duke vendosur bar natyral.
Kështu, edhe pse tifozët e New York Giants dhe New York Jets do ta njohin stadiumin e tyre, finalja e Botërorit do të zhvillohet në një arenë të transformuar plotësisht sipas standardeve të futbollit botëror. Me këto ndryshime, “MetLife” është gati të presë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e futbollit, finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.
