Rusia ndërmerr sulm të madh me raketa e dronë ndaj Kievit, teksa

0%

Rusia e ka kryer njërin prej sulmeve më të mëdha me raketa balistike ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit të saj të plotë, gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, duke e vrarë një person dhe plagosur 16 të tjerë. Ndërkohë, Ukraina njoftoi se kishte goditur dy cisterna ruse të naftës në Detin e Zi.

“Gjatë natës, Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha me raketa balistike ndaj Kievit”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në platformën X. Zelensky tha të dielën se Rusia i lëshoi më shumë se 40 raketa të llojeve të ndryshme, shumica e të cilave kishin në shënjestër kryeqytetin, së bashku me 120 dronë sulmues.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi gjithsej 41 raketa dhe 125 dronë gjatë natës, në një sulm të kombinuar që kishte si shënjestër kryesore Kievin. Sipas ushtrisë, mbrojtja ajrore rrëzoi 18 raketa dhe 108 dronë, ndërsa 23 raketa dhe 10 dronë goditën 20 lokacione. Mbetjet e raketave dhe dronëve të rrëzuar ranë në 18 zona të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sulmi përfshinte 25 raketa balistike Iskander-M dhe S-400, 10 raketa hipersonike Zircon, tri raketa kundër anijeve Onyx, tre raketa të telekomanduara Kh-59/69, si dhe 125 dronë sulmues të tipit Shahed dhe modele të tjera, thanë autoritetet. Shpërthime u dëgjuan në gjithë Kievin gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore u angazhua për t’i rrëzuar raketat që po afroheshin.

Autoritetet ukrainase thanë se sulmet goditën gjashtë qarqe të kryeqytetit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, një qendër tregtare dhe argëtimi, një supermarket dhe infrastrukturë civile. Zelensky tha se ekipet e emergjencës vazhdonin punën në tri lokacione, me afro 600 punonjës të shërbimeve të shpëtimit të angazhuar.

Autoritetet raportuan gjithashtu dëme në rajonin e Odesës, ndërsa sulmet ruse gjatë kësaj jave goditën edhe disa rajone të tjera të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andriy Sybiha, e përshkroi këtë valë sulmesh si përdorimin më të madh të raketave balistike kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe bëri thirrje për atë që e quajti “presion shkatërrues” ndaj Moskës për t’u dhënë fund sulmeve.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte goditur atë që e përshkroi si infrastrukturë ushtarake, përfshirë një qendër logjistike që pretendohet se përdorej për ruajtjen e komponentëve të armëve, objekte ku prodhoheshin pjesë për raketa, një depo për komponentë dronësh në rajonin e Kievit, si dhe depo karburanti dhe infrastrukturë portuale pranë Odesës.

Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e saj goditën gjatë natës dy cisterna ruse të naftës në Detin e Zi dhe një vinç lundrues në Detin Azov, duke thënë se të tri mjetet po përdoreshin për të mbështetur operacionet ushtarake të Rusisë.

Sulmet pasuan një sulm të gjerë ukrainas me dronë ndaj Rusisë një ditë më parë, që kishte në shënjestër qendra logjistike në rajonet e Moskës dhe Tambovit. Zelensky tha se këto objekte përdoreshin për furnizimin me komponentë të sanksionuar për prodhimin e dronëve rusë dhe pajisje navigimi.

Zyrtarët rusë thanë se një person u vra në rajonin e Kurskut gjatë sulmit ukrainas, ndërsa Ministria ruse e Shëndetësisë tha se 10 persona të plagosur nga një sulm ndaj një qendre logjistike në rajonin e Tambovit do të transferoheshin në qendra të specializuara mjekësore në Moskë për trajtim/ RadioEvropaeLirë /.

Burimi: Kallxo