Është shembur ura mbi lumin Silnicë në fshatin Nadakovc, ndërkaq lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë, Benjamin Shala, Segmenti qendror i urës ka pësuar dëmtime të rënda, ndërsa kjo urë nuk përdorej që prej 1 viti pasi ishte dëmtuar nga vërshimet.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë, Benjamin Shala, ka deklaruar për Telegrafin se ura kishte qenë jashtë funksionit për qarkullim që pas dëmtimeve të shkaktuara nga vërshimet dhe se autoritetet komunale e kishin ndaluar përdorimin e saj para një viti. “E kena ndalu pas vërshimeve për qarkullim, sepse ura ka pasë dëmtime. Është ndërtuar mbi 20 vite.
Për momentin s’ka qenë e qarkullueshme. E kemi ndalu qarkullimin, por ka rrugë alternative që çon deri te ura. Ka qenë e dëmtuar para një viti nga vërshimet. Sot e kemi marrë informacionin për shembjen e urës”, ka deklaruar Shala. I pyetur nëse Komuna ka planifikuar ndërtimin e një ure të re, Shala tha se një projekt i tillë nuk është paraparë për këtë vit. “Për këtë vit jo”, u shpreh ai.
