11 emigrantë nga vende të ndryshme janë shpëtuar sot në orët e mëngjesit si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), në ishullin e Sazanit. Policia e Shtetit përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook ka publikuar edhe pamjet e momentit të shpëtimit.
“Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme. Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme”, ”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim, nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
“Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
