Ish-sulmuesi i Anglisë, Michael Owen, ka shpërthyer në kritika ndaj Thomas Tuchel pas eliminimit dramatik të “Tre Luanëve” nga Argjentina në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026. Anglia ishte shumë pranë finales, pasi kryesonte 1-0 deri në minutën e 85-të, por kampionët në fuqi përmbysën gjithçka në minutat e fundit.
Enzo Fernandez barazoi pas një asistimi të Lionel Messit, ndërsa Lautaro Martinez realizoi golin e fitores pas një tjetër pasimi perfekt të kapitenit argjentinas.
Pas ndeshjes, Owen vuri në shënjestër vendimet taktike të Tuchel-it, duke argumentuar se tërheqja e skuadrës në mbrojtje dhe aktivizimi i tre mbrojtësve shtesë i dha iniciativën Argjentinës dhe ndikoi drejtpërdrejt në përmbysjen e rezultatit. “Të tërhiqesh prapa me të gjithë lojtarët pranë zonës dhe thjesht të largosh topin sa më larg nuk është guxim, por krejt e kundërta.
Futbolli nuk luhet në këtë mënyrë”, deklaroi Owen për “BBC Sport”. Ai shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke e krahasuar lojën e Anglisë me atë të një ekipi amator. “Edhe ekipi i lokalit tim mund të luajë në atë mënyrë. Pikërisht për këtë arsye Anglia u eliminua nga ky Botëror” , theksoi Owen.
Sipas tij, edhe festimet pas fitores ndaj Meksikës në fazën eliminatore krijuan një ndjenjë të rreme sigurie te skuadra angleze. “Kur feston sikur e ke fituar gjithçka, në mënyrë të pavetëdijshme fillon të mendosh se puna ka mbaruar. Pastaj kalon në epërsi 1-0 dhe trajneri fut edhe tre mbrojtës. Çfarë mesazhi u dërgon kjo kundërshtarëve?
Argjentina e kuptoi menjëherë se Anglia po përpiqej vetëm të mbrohej”, përfundoi ish-reprezentuesi anglez. Megjithatë, pavarësisht eliminimit në gjysmëfinale, mediat britanike raportojnë se pozita e Thomas Tuchel në stolin e Anglisë nuk është vënë në dyshim dhe ai pritet të vazhdojë në detyrë edhe pas përfundimit të Kupës së Botës.
