Komiteti i Helsinkit: Vdekja e Mlladiqit nuk i dha fund ideologjisë

0%

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka reaguar pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, duke shprehur shqetësimin për reagimet publike që e kanë shoqëruar atë dhe për përpjekjet për ta paraqitur ish-komandantin serb të dënuar për krime lufte si hero kombëtar. Sipas këtij komiteti, nuk ka asgjë shqetësuese në vdekjen e Ratko Mlladiqit, një krimineli lufte të dënuar.

Por, ajo që është thellësisht shqetësuese, megjithatë, është reagimi që vdekja e tij ka provokuar – veçanërisht në mesin e disa pjesëve të elitave politike, intelektuale dhe shoqërore të Serbisë, përfshirë edhe segmente të lëvizjes studentore.

“Thirrjet për një varrim shtetëror, ulja e flamujve në gjysmështizë dhe glorifikimi publik i Mlladiqit tregojnë se vdekja e tij nuk po trajtohet thjesht si vdekja e një krimineli lufte të dënuar. Përkundrazi, nga disa po përdoret si një mundësi për të ringjallur dhe riafirmuar mitin e tij si hero kombëtar”, thuhet në reagim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Komiteti i Helsinkit vlerëson se vdekja e tij ka nxjerrë kështu në pah diçka shumë më të thellë: Serbia nuk është përballur kurrë sinqerisht me humbjen e politikave që çuan në luftërat e viteve 1990, as me pasojat e tyre.

“Në vend që t’i shqyrtojë në mënyrë kritike këto politika, përgjegjësinë për to dhe kostot e jashtëzakonshme njerëzore e politike që ato prodhuan, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe vazhdon të përqafojë një narrativë sipas së cilës luftërat paraqiten si një padrejtësi historike ndaj serbëve, ndërsa ata që i zhvilluan ato paraqiten si njerëz që ‘luftuan për lirinë e popullit serb’”.

Kjo ideologji, sipas Komitetit, “nuk u zhduk me Sllobodan Millosheviqin dhe as nuk u zhduk me aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo i ka mbijetuar të dyjave”. Në reagim theksohet se veçanërisht shqetësues është fakti se kjo narrativë ka gjetur jehonë në mesin e disa pjesëve të një brezi të ri që e sheh veten si “bartës të ndryshimit demokratik”.

Kjo, sipas Komitetit, tregon se sa thellë janë rrënjosur ende modelet nacionaliste të të menduarit dhe sa i paplotë mbetet procesi i Serbisë për t’u përballur me të kaluarën e saj.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Serbia duhet të pranojë se luftërat e viteve 1990 nuk ishin vetëm rezultat i rrethanave të jashtme apo i një padrejtësie historike, por pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi për ndryshimin e kufijve dhe të pozitës politike të serbëve në ish-Jugosllavi.

Sipas Komitetit të Helsinkit, sfida kryesore për Serbinë mbetet përballja me ideologjinë që justifikoi luftën, zgjerimin territorial dhe dhunën në emër të kombit serb. Pyetja më e rëndësishme që ngre vdekja e Mlladiqit, sipas Komitetit, nuk është se çfarë lloj varrimi do të marrë ai, por çfarë na tregon glorifikimi i tij për shoqërinë që mbetet pas.

“Një kriminel lufte mund të vdesë, ndërsa ideologjia që e bëri atë hero mund të mbijetojë. Kjo është sfida e vërtetë me të cilën Serbia vazhdon të përballet”, përfundon Komiteti në reagim.

Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare.

Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë.

I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Burimi: Kallxo