Ministria e Sportit dhe Rinisë ka finalizuar një kontratë për sigurimin e biletave të aeroplanit për udhëtimet zyrtare të stafit të saj, me vlerë afro 400 mijë euro. Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik fitues është kompania “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa marrëveshja pritet të nënshkruhet këtë javë.
Kontrata është realizuar përmes një procedure të hapur prokurimi, ku kriteri kryesor për përzgjedhje ka qenë çmimi më i ulët. Në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë me kohëzgjatje 36 muaj, e cila parasheh furnizimin me bileta ajrore për nevojat e udhëtimeve zyrtare të ministrisë.
Në dokumentacionin e tenderit thuhet se destinacionet e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht, pasi ato do të varen nga nevojat dhe aktivitetet institucionale gjatë periudhës së kontratës. Vlera totale e kontratës është 399 mijë e 741 euro, shumë kjo pothuajse e njëjtë me vlerën e planifikuar të prokurimit, e cila ishte rreth 400 mijë euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
