Kompania tajvaneze që fitoi 22 miliardë dollarë për 3 muaj, investon

0%

Gjiganti tajvanez i prodhimit të çipave, TSMC, ka njoftuar se do të investojë edhe 100 miliardë dollarë për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit në Shtetet e Bashkuara. Me këtë, vlera totale e investimeve të planifikuara të kompanisë në SHBA arrin në 265 miliardë dollar, shkruan AP.

Kompania më e madhe e prodhimit të çipave, që është furnizues kryesor i Nvidia dhe Apple, po zgjeron prodhimin për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për çipa të avancuar, e nxitur nga zhvillimi i inteligjencës artificiale. TSMC njoftoi se do të ndërtojë edhe katër fabrika të reja në Arizona, të cilat do të prodhojnë çipa me teknologji 2 nanometra dhe më të avancuar.

Gjithashtu, kompania njoftoi se rriti buxhetin e investimeve kapitale për këtë vit në 60 deri 64 miliardë dollarë. Kryetari dhe drejtori ekzekutiv i TSMC-së, C.C. Wei, tha se investimi do të forcojë zinxhirin e furnizimit në SHBA dhe do të krijojë vende të reja pune me paga të larta.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai shtoi se kërkesa globale për çipa të lidhur me inteligjencën artificiale mbetet jashtëzakonisht e fortë dhe pritet të vazhdojë të rritet deri në fund të dekadës. TSMC raportoi gjithashtu fitim rekord prej 22 miliardë dollarësh për tremujorin prill-qershor, 77 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa të hyrat u rritën me 36 për qind.

Pas këtyre rezultateve, kompania rriti parashikimin për rritjen e të hyrave gjatë vitit 2026 në mbi 40 për qind ndërsa u vlerësua se zgjerimi i investimeve është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesën në rritje dhe për të mbështetur rritjen afatgjatë të kompanisë.

Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe Tajvani arritën një marrëveshje për uljen e tarifave doganore të SHBA-së ndaj mallrave të vendit aziatik, pasi ky vend u zotua të investojë rreth 250 miliardë dollarë në sektorin teknologjik të Shteteve të Bashkuara, përfshirë industrinë e gjysmëpërçuesve.

Në këtë paketë investimesh përfshihen edhe investimet e kompanisë TSMC.

Burimi: Bota Sot