Rregullatori britanik i komunikimeve nis hetim ndaj TikTok për masat

0%

Rregullatori britanik i komunikimeve, Ofcom, ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse platforma TikTok po dështon të mbrojë fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme. Hetimi do të shqyrtojë nëse rrjeti social për ndarjen e videove po respekton detyrimet e përcaktuara në Ligjin për Sigurinë Online (Online Safety Act), i cili po zbatohet gradualisht që nga miratimi i tij në tetor të vitit 2023.

Vendimi vjen pasi një rishikim i Ofcom arriti në përfundimin se TikTok nuk kishte ndërmarrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve, pavarësisht provave të shumta mbi dëmet që mund të shkaktojë përmbajtja e papërshtatshme. Gjithashtu, një raport tjetër ngriti shqetësime se fëmijët po ekspozohen ndaj përmbajtjeve të dëmshme në platformë.

Sipas Ofcom, edhe sistemet e TikTok për verifikimin e moshës së përdoruesve mund të kenë dështuar në identifikimin e një numri të konsiderueshëm të fëmijëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ky hetim synon të përcaktojë nëse ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se TikTok ka shkelur ose po shkel detyrimet e tij ligjore”, deklaroi Ofcom, duke theksuar se hapja e hetimit nuk nënkupton se kompania është shpallur fajtore.

Nëse konstatohen shkelje, Ofcom mund të vendosë gjoba deri në 18 milionë funte (rreth 21 milionë euro) ose deri në 10% të të ardhurave vjetore globale të kompanisë, varësisht se cila shumë është më e lartë. Gjithashtu, rregullatori mund t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar masa shtesë, përfshirë urdhërimin e ofruesve të internetit që të kufizojnë ose bllokojnë qasjen në platformë.

Hetimi vjen një muaj pasi qeveria britanike njoftoi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç. Masa, e cila pritet të hyjë në fuqi në pranverën e vitit 2027, do të përfshijë platforma si Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram, Facebook dhe X.

Po ashtu, është bërë e ditur se përdoruesit 16 dhe 17 vjeç do të kenë mundësinë të aktivizojnë kufizime gjatë natës për përdorimin e rrjeteve sociale, si dhe të çaktivizojnë funksionin e lëvizjes së pafundme të përmbajtjes (infinite scrolling).

Burimi: Telegrafi