Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se pas raportimeve për dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga ushqimet në Prishtinë dhe Han të Elezit ka ndërmarrë kontrolle zyrtare emergjente për të mbështetur, siç thuhet në njoftim, institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Sipas njoftimit, në dy lokacionet inspektorët veterinarë të AUV-së kanë zhvilluar inspektime të jashtëzakonshme gjatë të cilave janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para si dhe janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në rastin e Prishtinës, sipas njoftimit, janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit.
Mostrat e marra, sipas AUV, janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës sipas procedurave të përcaktuara. Analizat laboratorike janë në proces dhe pas përfundimit të tyre AUV do të dalë me njoftim publik. “Analizat laboratorike janë në proces.
Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës”- thuhet në njoftim.
AUV kërkon nga operatorët të respektojnë ligjet, garantim të cilësisë dhe sigurisë së ushqimore dhe ruajtjes në kushtet sic parashihet me ligj. Në të kundërtën, sipas AUV, çdo rast i mosrespektimit të kërkesave ligjore do të trajtohet me vendosmëri në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dy ditët e fundit, në Prishtinë dhe Han të Elezit janë raportuar raste të helmim të qytetarëve që dyshohet të ketë ardhur nga konsumi i ushqimit të lokale gastronomike.
