Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesës së një pjese të strukturave të partisë për thirrjen e Kuvendit të LDK-së dhe shqyrtimin e pozitës së tij si kryetar. Në një adresim publik, Abdixhiku ka bërë të ditur se janë dorëzuar 148 nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit, por ka theksuar se ato ende nuk janë verifikuar zyrtarisht.
Sipas tij, kjo nismë mund të ketë pasoja të rënda për LDK-në dhe situatën politike në vend. “Ky proces mund të na dëmtojë, të jetë i pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka kritikuar mënyrën se si është iniciuar kjo kërkesë, duke thënë se partia nuk duhet të shndërrohet në arenë të garës për pozita drejtuese, por duhet të mbetet e fokusuar në interesin e qytetarëve. “Në vlerat e mia, LDK do duhej të sillej si shtëpi e interesave të qytetarëve, jo e apetiteve për kryetar e karrigen e kryetarit.
Karrige që aq shumë e lakmojnë dhe aq pak e kuptojnë”, ka thënë ai. Abdixhiku ka shtuar se ata që kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e partisë mund ta arrijnë qëllimin e tyre, por ka vlerësuar se mënyra e ndjekur po dëmton imazhin e LDK-së.
“Le ta arrijnë fundja, por kanë mundur ta bëjnë më me kujdes, jo për bashkëpunëtorë, por për popullin që sheh, që vëzhgon e dëshpërohet, por megjithatë vepron”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.
Kërkesa për mbajtjen e Kuvendit të LDK-së vjen në një periudhë të debatit të brendshëm në këtë parti, ku një pjesë e strukturave kanë kërkuar rishikim të udhëheqjes pas rezultateve të fundit zgjedhore.
