Një ngarkesë prej mbi 111 kilogramësh kokainë, e cila sipas autoriteteve italiane do të sillte rreth 20 milionë euro fitime në tregun e drogës, është sekuestruar gjatë një operacioni të Guardia di Finanza. Në pranga kanë përfunduar tre persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Komandës Provinciale të Ankonës, të cilët vunë nën vëzhgim një automjet të dyshimtë që lëvizte drejt periferisë së Parmës. Gjatë ndjekjes, hetuesit konstatuan shkëmbimin e disa çantave të mëdha mes personave që ndodheshin në automjet dhe drejtuesit të një kamioni.
Kontrollet e mëvonshme zbuluan se droga ishte fshehur në një hapësirë të posaçme të ndërtuar brenda kabinës së kamionit. Aty u gjetën 100 pako me kokainë, me një peshë totale prej mbi 111 kilogramësh. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu rreth 19 mijë euro para në dorë, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Sipas vlerësimeve të Guardia di Finanza, sasia e kokainës, pasi të përzihej me substanca të tjera dhe të shpërndahej në tregun ilegal, do të gjeneronte fitime prej rreth 20 milionë eurosh, shkruan Topchannel. Me urdhër të Prokurorisë së Parmës, u arrestuan dy personat që ndodheshin në automjet dhe drejtuesi i kamionit.
Të arrestuarit janë shtetas me origjinë shqiptare dhe rumune, ndërsa janë dërguar në burgun e Parmës. Hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të zbardhur tërësisht rrjetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
