Legjenda e mundjes shqiptare, Shaban Tërstena, kampion olimpik në Los Anxhelos më 1984 dhe nënkampion olimpik në Seul më 1988, ka emocionuar me një postim të publikuar në profilin e tij në facebook. Tërstena, ka kujtuar rrugëtimin e tij historik dhe sukseset që e vendosën në majat e sportit botëror.
Ai mbetet një emër unik në historinë olimpike, pasi fitoi medaljen e artë në moshën vetëm 19-vjeçare, duke qenë kampionët më të rinj olimpikë, rekord pathyeshëm deri me tash “Kjo fotografi më është dërguar dhe është publikuar nga bota sportive, e cila di ta vlerësojë historinë, sakrificën dhe madhështinë që ajo mbart. Kjo nuk është thjesht një fotografi.
Ajo është dëshmi e një ëndrre të realizuar, e një rruge të ndërtuar me punë të palodhur, disiplinë të hekurt, përkushtim të pakufishëm dhe sakrifica të panumërta. Para 42 vitesh u fitua medalja e artë olimpike një moment historik që mbetet përgjithmonë i gdhendur në historinë e sportit olimpik.
Ky triumf nuk i përket vetëm një sportisti; ai është krenari për mbarë sportin dhe frymëzim për çdo të ri që beson se me punë, vullnet të hekurt dhe besim në vetvete, edhe ëndrrat më të mëdha bëhen realitet. Koha kalon, fotografitë zbehen, por historia nuk shuhet kurrë.
Medalja e artë olimpike mbetet simbol i përjetshëm i krenarisë, nderit, lavdisë dhe sakrificës sime një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë brezat që vijnë. Historia nuk shkruhet me rrena e me fjalë të mëdha, por me vepra që i rezistojnë kohës.
Kjo fotografi flet më shumë se një mijë fjalë dhe do të mbetet përgjithmonë një dëshmi e pavdekshme e një suksesi që koha nuk mund ta zbehë” , ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.
