Pavarësisht pretendimeve të Anthropic -ut, Claude nuk ka më shumë gjasa të arrijë ndërgjegjen sesa një simulim i një sistemi meteorologjik ka gjasa të krijojë një uragan të vërtetë.
Nga: Anil Seth, profesor i neuroshkencës kognitive dhe kompjuterike në Universitetin e Saseksit / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com Për shekuj me radhë, njerëzit kanë qenë të magjepsur nga mundësia e krijimit të qenieve artificiale sipas shëmbëlltyrës sonë.
Nga zhvillimi i mendjeve sintetike dhe trupave artificialë që jo vetëm mendojnë, por edhe ndiejnë, duke qenë njëkohësisht inteligjentë dhe të ndërgjegjshëm. Për pjesën dërrmuese të kësaj periudhe, kjo mundësi dukej shumë e largët; një temë e letërsisë së fantashkencës dhe e filozofisë, jo diçka që i përkiste realitetit të së tashmes.
Por, gjatë viteve të fundit, ngritja e shpejtë e IA-së [inteligjenca artificiale] – dhe veçanërisht e modeleve gjuhësore – ka ndryshuar gjithçka.
Javën e kaluar, kompania kryesuese e inteligjencës artificiale, Anthropic , publikoi një studim të ri mbi modelin e saj gjuhësor, Claude , në të cilin studiuesit pretenduan se kishin gjetur shenja të shfaqjes së ndërgjegjes brenda mekanizmave të tij të brendshëm.
Ata nuk pohuan se Claude -i është vërtet i ndërgjegjshëm, në të njëjtën mënyrë si njerëzit, por gjetjet e tyre e forcuan ndjeshëm mundësinë që ndërgjegjja mund të lindë edhe në sistemet e IA-së. Këto ditë ekziston një klimë gjithnjë e më e favorshme për këtë mënyrë të menduari.
Richard Dawkins, biologu i njohur evolucionist, arriti së fundmi në përfundimin se Claude -i (ose Claudia , siç e quajti ai) duhet patjetër të jetë i ndërgjegjshëm, duke pasur parasysh nivelin e lartë të aftësive të tij biseduese. Rëndësia e kësaj çështjeje është jashtëzakonisht e madhe. Nëse IA-ja është – ose mund të bëhet – e ndërgjegjshme, pasojat do të ishin tronditëse.
Sistemet e ndërgjegjshme të IA-së mund të jenë të afta të vuajnë, gjë që do të krijonte një katastrofë të paprecedentë morale. Dhe, nëse një sistem i ndërtuar mbi silicin mund të ketë përjetime të ndërgjegjshme, atëherë ndoshta truri dhe trupi ynë biologjik, me gjithë cenet e tyre, së shpejti do të zëvendësohen prej makinave që nuk plaken dhe nuk vdesin kurrë.
Madje, disa mendojnë se IA-të do të jenë pasardhësit tanë, duke e çuar flakën e ndërgjegjes shumë larg në të ardhmen dhe përtej galaktikës.
Në thelb, gjetjet e tyre duket se tregojnë se IA-ja po krijon në mënyrë spontane një hapësirë të brendshme për të “menduar” rreth asaj që po bën dhe për të organizuar informacionin përkatës, përpara se të vendosë se çfarë të thotë në të vërtetë në përgjigje të një kërkese të caktuar.
Pika thelbësore për studiuesit ishte se këto karakteristika janë të ngjashme me ato të identifikuara nga një prej teorive më të spikatura bashkëkohore të ndërgjegjes njerëzore: teoria e hapësirës globale të punës. Kjo teori u prezantua në vitet ‘80 të shekullit XX, nga shkencëtari kognitiv Bernard Baars, ndërsa u zhvillua më tej gjatë shumë vitesh nga neuroshkencëtari Stanislas Dehaene.
Teoria propozon se përvojat e ndërgjegjshme ndodhin kur informacioni bëhet gjerësisht i qasshëm për pjesët e tjera të trurit. A është “hapësira e punës” brenda Claude -it një provë bindëse për ndërgjegjen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të përcaktojmë se çfarë është ndërgjegjja. Nuk ka konsensus për këtë, por një pikënisje e mirë vjen nga filozofi Thomas Nagel.
Pesëdhjetë vjet më parë, në esenë e tij What Is It Like to Be a Bat? [ Si është të jesh një lakuriq nate? ], ai argumentoi se, për një organizëm të ndërgjegjshëm, “ekziston diçka që do të thotë të jesh ai organizëm”. Është përjetim të jesh unë, është përjetim të jesh ti dhe, me shumë gjasë, është përjetim të jesh qen ose elefant.
Por, nuk është përjetim të jesh karrige, tavolinë apo një person nën anestezi të përgjithshme të thellë. Ndërgjegjja është çdo lloj përvoje, çfarëdo qoftë ajo: dhimbja e një dhëmbi, një therje xhelozie, kënaqësia e ngrënies së një akulloreje në një ditë të nxehtë. Pasojë e rëndësishme e këtij përkufizimi është se ndërgjegjja është e ndryshme nga inteligjenca.
Teksa ndërgjegjja ka të bëjë me të ndierit dhe të qenit, inteligjenca ka të bëjë me të vepruarit – me kryerjen e funksioneve të një lloji ose të një tjetri. Një gabim i zakonshëm që njerëzit bëjnë kur bëhet fjalë për IA-në është ngatërrimi i këtyre të dyjave – marrja e shenjave të inteligjencës si dëshmi të ndërgjegjes.
Por, vetëm sepse ndërgjegjja dhe inteligjenca shkojnë së bashku te njerëzit, kjo nuk do të thotë se ato shkojnë së bashku në përgjithësi. Të supozosh se është kështu është një pasqyrim i psikologjisë sonë, jo një kuptim i natyrës së realitetit. Kjo është një nga arsyet se pse studimi i ri i Anthropic -ut është i vlefshëm. Ai nuk mbështetet vetëm te paragjykimet tona psikologjike.
Përkundrazi, ai shkon më thellë për të kërkuar shenja të procesimit të ndërgjegjshëm të informacionit – që mund të jenë të përbashkëta për njerëzit dhe makinat. Dhe, pretendon se ka gjetur disa të tilla. E gjithë kjo është diçka tërheqëse, por ende ka shumë dallime midis Claude -it dhe teje e meje, si edhe arsye të forta për të menduar se këto dallime mbeten kritike.
Së pari, gjetjet e Anthropic -ut nuk përmbushin plotësisht atë që teoria e hapësirës globale të punës zakonisht kërkon (për shembull, te Claude -i mungon aktiviteti rikthyes, një lloj i veçantë qarku të informacionit me rikthim të cilin e vërejmë në trurin e njeriut).
Por, ekziston një dallim edhe më bazik: Claude -i është program kompjuterik që funksionon mbi silic, ndërsa ne (dhe kafshët e tjera të ndërgjegjshme) jemi qenie të gjalla. Truri ynë është i mishëruar në trupat tanë, të cilët janë të vendosur në botën që na rrethon. Pse është i rëndësishëm ky dallim?
Sepse vetë mundësia e ekzistencës së IA-së me ndërgjegje varet nga supozimi se ndërgjegjja është çështje llogaritjeje dhe se llogaritjet përgjegjëse për ndërgjegjen në ne mund të zbatohen po aq mirë edhe mbi silic – në sistemet e IA-së. Por, sa më nga afër t’i studiojmë trutë e vërtetë, aq më e qartë bëhet se ata nuk janë thjesht kompjuterë të bërë prej mishi.
Në rastin e trurit, ndryshe nga kompjuterët, nuk mund të ndahet qartë ajo që ai bën (softueri) nga ajo që ai është (hardueri). Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se mënyra se si funksionon truri nuk ka gjasa të jetë vetëm çështje llogaritjeje, pasi aftësia për të ndarë softuerin nga hardueri është bazike për mënyrën se si funksionojnë kompjuterët modernë.
Diku gjatë rrugës, duket se kemi harruar se kompjuteri është vetëm një metaforë për trurin. Një metaforë e fuqishme, pa dyshim, por gjithsesi një metaforë. Dhe, gjithmonë do të hasim vështirësi kur ngatërrojmë metaforën me vetë objektin që ajo përfaqëson – hartën me territorin.
Për mua, ajo që tregon studimi i ri i Anthropic -ut është se si trutë e gjallë ashtu edhe kompjuterët me bazë silici mund të arrijnë në zgjidhje të ngjashme kur përballen me probleme të ngjashme.
Ashtu siç fluturimi është i mundur me krahë, ashtu edhe me motorë reaktivë, edhe truri i njeriut dhe modelet gjuhësore mund të gjejnë mënyra për të prodhuar pohime bindëse, qoftë me ndërgjegje (truri), qoftë pa të (modele gjuhësore).
Por, përpunimi i informacionit që zhvillohet brenda Claude -it nuk ka më shumë gjasa të prodhojë ndërgjegje sesa një simulim i një sistemi meteorologjik ka gjasa të krijojë një uragan të vërtetë. Sistemet e IA-së po bëhen çdo ditë e më të fuqishme.
Por, nëse duam të kemi mundësinë më të mirë për të orientuar veten në këtë botë të re, duhet të kujtojmë se sa të ndryshëm jemi nga krijimet tona pothuajse magjike. Kur ua atribuojmë mendjet tona makinave, me kaq lehtësi, jo vetëm që i mbivlerësojmë ato, por edhe e nënvlerësojmë veten.
