Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të shumta që shoqëruan koncertin e Kanye West të zhvilluar mbrëmjen e kaluar (e shtunë) në Tiranë. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama u është përgjigjur kundërshtimeve ndaj organizimit të koncertit, duke thënë se Shqipëria nuk zhvilloi thjesht një shfaqje muzikore, por një ngjarje me jehonë ndërkombëtare.
“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje, e cila falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit u bë lajm në çdo cep të botës”, u shpreh Rama. Foto: Facebook Kryeministri kritikoi ata që e kundërshtuan koncertin duke e lidhur me problemet sociale dhe ekonomike të vendit.
Sipas tij, zhvillimi i një vendi nuk duhet parë si një ndarje fikse parash, ku çdo investim për një aktivitet kulturor shihet si humbje për sektorë të tjerë. “Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe”, tha tutje.
Ai theksoi se evente të tilla mund të sjellin përfitime ekonomike për sektorë të ndryshëm, duke përmendur hotelet, restorantet, transportin, bizneset lokale dhe të ardhurat nga taksat. Sipas Ramës, një koncert me përmasa ndërkombëtare nuk lë pas vetëm kujtime për publikun, por krijon edhe vlerë ekonomike dhe promovon imazhin e Shqipërisë në botë.
“Një shpenzim mbaron në çastin që bëhet, një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë”, deklaroi kryeministri, duke mbrojtur organizimin e koncertit dhe ndikimin e tij në promovimin e vendit.
Reagimi i Ramës erdhi pas debatit publik në Shqipëri, ku një pjesë e qytetarëve dhe komentuesve kritikuan kostot e eventit, gjersa të tjerë e vlerësuan si një mundësi për të rritur vëmendjen ndërkombëtare ndaj Shqipërisë.
