Ditën e sotme, në mesin e qytetarëve që kanë mbushur Sheshin “Skënderbej”, ka spikatur mesazhi tejet prekës dhe i sinqertë i një kryefamiljari. Për mikrofonin e News24, ai ka rrëfyer arsyen e madhe se pse ka vendosur t’i bashkohet qëndresës qytetare, duke u bërë zëri i mijëra prindërve shqiptarë që po shohin fëmijët e tyre të largohen nga vendi.
Mes emocionesh, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të ndershëm që të bashkohen në shesh, larg interesave politike, për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të ardhmen e kombit. “Kam dalë në protestë për fëmijët e mi, se dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës! Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet të mblidhen këtu, këtu i gjejmë shqiptarët e ndershëm dhe pa interes.
Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë,” u shpreh ai me vendosmëri. Më tej, prindi denoncoi hapur realitetin e vështirë dhe pasigurinë me të cilën përballen familjet shqiptare çdo ditë, duke shigjetuar të gjithë spektrin politik që ka dështuar të ndërtojë një shtet me rregull dhe meritokraci. “Përballem me pafund problematika.
Arsyeja kryesore është korrupsioni që po na varros përditë, krimi që na rrethon përditë. Të gjitha partitë pa përjashtim na i kanë lënë gjërat rrëmujë,” përfundoi ai deklaratën e tij të fortë.
