Një ditë pas koncertit të shumëpritur por edhe të kritikuar në “Eagle Stadium” në Tiranë, reperi amerikan Kanye West përmes një postimi në platformën “X” më , ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe gjithë Shqipërinë për pritjen. “Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë që ndërtuat një stadium dhe më mirëpritët në vendin tuaj të bukur”, ka shkruar West.
Thank you Edi Rama and to all of Albania for building a stadium and welcoming me into your beautiful country — ye (@kanyewest) July 12, 2026 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po ashtu ka reaguar të dielën, një ditë pas koncertit të Kanye West, duke e cilësuar organizimin si ngjarje me jehonë globale dhe duke i’u përgjigjur kritikave që shoqëruan zhvillimin e tij pasi qeveria ndau mbi 4 milionë euro.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet e tij sociale, Rama tha se Shqipëria “nuk organizoi thjesht një koncert”, por një aktivitet që, sipas tij, falë famës së artistit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale, “u bë në çdo cep të botës lajm”. Rama shtoi se deri tek ndihma për koncertin erdhi pasi pati shumë sulme e thirrje kundër tij.
“Në Shqipëri zakonisht, këtë herë edhe më shumë se sa zakonisht – arsyeja dihet – ngjarja u bë një motiv i ri ndasie shumë të egër, ku një furi dhune edhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti”, u shpreh Rama. Sipas Ramës, debati nuk duhet të fokusohet vetëm te kostoja e organizimit, por edhe te përfitimet ekonomike që, sipas tij, sjellin ngjarje të tilla.
Përdorimi nga qeveria i 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë i emergjencave për të financuar koncertin e reperit kontrovers – pasi më herët ishte zotuar se nuk do të shpenzonte asnjë qindarkë – ngjalli reagim e zemërim tek shumë qyetarë.
Vendimi i qeverisë për financimin e koncertit për të cilin u ndërtua edhe stadium, ka zemëruar shumë prej atyre që janë përfshirë në protestat e nxitura nga projekti bregdetar i lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner. Edhe shqiptarë të tjerë i janë drejtuar West-it në rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tyre, duke i kërkuar të mos vinte në Shqipëri.
Sipas tyre, koncerti ishte përpjekje për të përmirësuar imazhin e kryeministrit Edi Rama, dorëheqjen e të cilit protestuesit po e kërkojnë. Rama e kishte promovuar koncertin në rrjetet sociale dhe të mërkurën publikoi një video 10-minutëshe në Facebook, ku këmbënguli se qeverisë iu desh të ndërhynte që koncerti të mos dështonte.
“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West – ndërkohë që plot të tjerë janë trembur nga frika e anullimit të koncertit”- tha Rama.
Debati mbi financimin vjen krahas pikëpyetjeve nëse ëest, koncertet e të cilit janë ndaluar në shumë vende të tjera, duhet të mirëpritet në Shqipëri. West-it iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve të tij antisemite dhe këngës që publikoi me titull “Heil Hitler”, ndërsa pjesëmarrja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua.
Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów të Polonisë, u anulua gjithashtu. Australia ia ndaloi hyrjen në vend West-it në vitin 2025.
