Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjitha anijet që lundrojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se forcat amerikane janë të gatshme të garantojnë lirinë e lundrimit në këtë korridor strategjik.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, CENTCOM njoftoi se rrugët e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të jenë të hapura dhe se Irani nuk kontrollon këtë rrugë ujore ndërkombëtare, e cila përdoret nga anijet tregtare për transportin global të mallrave dhe energjisë.
Sipas njoftimit, forcat amerikane kanë lehtësuar kalimin e mbi 800 anijeve dhe transportin e më shumë se 400 milionë fuçive naftë bruto gjatë dy muajve të fundit. Vetëm në shtatë ditët e fundit, mbi 140 anije kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit.
CENTCOM theksoi se trafiku detar po zhvillohet normalisht dhe se forcat amerikane mbeten të pozicionuara për të garantuar lirinë e lundrimit, pavarësisht, siç thuhet në deklaratë, “agresionit, ngacmimeve, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare të pajustifikuara nga Irani”.
