Bota e futbollit është tronditur nga vdekja e papritur e mesfushorit të Afrikës së Jugut, Jayden Adams, në moshën 25-vjeçare. Adams kishte përfaqësuar vetëm pak ditë më parë Afrikën e Jugut në Kupën e Botës, ku u paraqit në tri ndeshjet e fazës së grupeve. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga strukturat e futbollit në vend, ndërsa shkaku ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht.
Media “Sunday World” ka raportuar, duke iu referuar burimeve të saj, se futbollisti dyshohet se i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e tij në Stellenbosch. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet. Policia ka hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e vdekjes së 25-vjeçarit, duke bërë të ditur se çështja vazhdon të jetë nën hetim.
Disa raportime kanë përmendur edhe helmimin nga ushqimi si shkak të mundshëm, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Dy javë më parë, Adams kishte humbur gjyshen e tij 72-vjeçare, Marianne Adams, një ditë para ndeshjes së Afrikës së Jugut ndaj Republikës Çeke në stadiumin e Atlantës.
Shoqata e Futbollit e Afrikës së Jugut dhe përfaqësues të tjerë të futbollit kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e lojtarit, duke kërkuar respektim të privatësisë së tyre në këtë periudhë të rëndë. Vdes futbollisti që luajti në Botërorin 2026 Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
