Teksa Franca vazhdon garën në Kupën e Botës dhe përgatitet për gjysmëfinalen ndaj Spanjës të martën, Michael Olise ka rikthyer vëmendjen mbi veten. Ylli i Bayern Munichut është bërë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës. Sulmuesi francez zhvilloi një sezon mbresëlënës me Bayernin, duke regjistruar 22 gola dhe 26 asistime në 51 ndeshje.
Në sezonin e tij të dytë në Mynih, ai ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës bavareze dhe tani po shkëlqen edhe në Kupën e Botës me paraqitje të nivelit të lartë. Pikërisht për këtë arsye, spekulimet që e lidhnin me një kalim te Real Madridi ishin të pashmangshme.
Megjithatë, drejtuesi i sektorit të futbollit te “Bild”, Christian Falk, i hodhi poshtë këto zëra në podcastin “Bayern Insider”. “Nuk ekziston absolutisht asnjë mundësi që Michael Olise të largohet gjatë kësaj merkatoje. Klubi ia ka bërë shumë të qartë këtë lojtarit” , deklaroi Falk. Edhe vetë Real Madridi kishte lënë të kuptohej më herët se nuk po planifikonte transferimin e francezit.
Megjithatë, gazetari gjerman la të hapur mundësinë që një lëvizje drejt “Bernabeut” të ndodhë në të ardhmen. “Ndoshta Bayerni fiton Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe më pas Olise vendos se dëshiron një sfidë të re. Kurrë nuk i dihet. Por për momentin ai do të qëndrojë.
Nëse në të ardhmen paraqitet ndonjë mundësi, Florentino Perez i ka premtuar Herbert Hainerit se do ta kontaktojë fillimisht përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim që lidhet me lojtarin ose përfaqësuesit e tij”, u shpreh Falk.
