Qeveria e Ugandës thotë se të paktën 16 persona kanë vdekur nga uria gjatë javëve të fundit në rajonin verilindor të Karamoja-s, si pasojë e një thatësire të zgjatur. Fermerët thonë se i kanë humbur të mbjellat, pasi në këtë zonë ka pasur pak ose aspak reshje që nga muaji prill, kur fillon sezoni i mbjelljeve.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesat e përsëritura në rajon shkaktohen nga ndryshimet klimatike, reshjet e pamjaftueshme, shpyllëzimi, mbikullotja dhe dëmtuesit e kulturave bujqësore. Të gjitha këto së bashku i bëjnë komunitetet gjithnjë e më të cenueshme nga uria.
Kryeministrja Robinah Nabbanja thotë se mijëra familje kanë mbetur pa ushqim, pasi periudha e thatë ka shkatërruar të mbjellat. Zyra e saj pritet të kërkojë të hënën miratimin e kabinetit për blerjen e më shumë furnizimeve për zonat e prekura. Qeveria thotë se ka filluar shpërndarjen e ndihmave ushqimore emergjente.
Sipërfaqe të mëdha me misër, sorgum dhe sojë janë tharë, duke shuar shpresat për një korrje të bollshme. Ekspertët po bëjnë thirrje për parashikime më të mira, investime në sistemet e ujitjes dhe përdorimin e kulturave rezistente ndaj thatësirës. Rajoni gjysmë i thatë në verilindje të Ugandës është goditur edhe më parë nga mungesa katastrofike të ushqimit.
Në vitin 2022, më shumë se 2.200 persona vdiqën nga uria dhe sëmundjet e lidhura me të në verilindje të Ugandës, sipas një raporti të një institucioni zyrtar për të drejtat e njeriut.
Dëshpërimi u shndërrua në mosbesim kur ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Henry Okello Oryem, i quajti “idiotë” ata që kishin vdekur nga uria, duke argumentuar se Uganda kishte klimë të favorshme dhe tokë pjellore, prandaj njerëzit duhej të ishin në gjendje ta kultivonin vetë ushqimin e tyre./ BBC
