Përplasja për vrasjet në Luftën e Dytë Botërore trondit raportet

0%

Në korrik të vitit 2023, presidentët e Polonisë dhe Ukrainës përkujtuan viktimat e një vale dhune që la dhjetëra mijëra të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Andrzej Duda, në atë kohë president i Polonisë, u përkulën dhe vendosën qirinj pranë një memoriali përballë altarit të një kishe në Lutsk, kryeqyteti i rajonit të Volinit në veriperëndim të Ukrainës. Në postimet e tyre në rrjetet sociale, të dy përcollën një mesazh pozitiv: “Kujtesa na bashkon!”.

Tre vjet më vonë, ky mesazh po vihet në një sprovë pasi një mosmarrëveshje e rindezur rreth asaj që Polonia e quan Masakra e Volhinisë, ndërsa Ukraina e quan Tragjedia e Volinit, po trazon raportet mes dy vendeve fqinje, duke rrezikuar pasoja për mbrojtjen e Kievit kundër Rusisë dhe për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shkak për përshkallëzimin e tensioneve u bë vendimi i Zelenskyt në maj për t’i dhënë një njësiti ushtarak një emër në nder të “Heronjve të UPA-s” – Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA), për të cilën Polonia thotë se masakroi rreth 100.000 polakë në rajonin që atëherë ishte nën pushtimin gjerman, gjatë viteve 1943-1945. Dhe Parlamenti polak i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid.

Ukraina e kundërshton këtë cilësim dhe thotë se edhe ukrainasit ishin viktima të dhunës dhe urrejtjes nga polakët. Sipas saj, mijëra ukrainas u vranë në sulmer hakmarrëse.

UPA ishte krahu ushtarak i Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (OUN), e udhëhequr nga lideri nacionalist Stepan Bandera, që gjatë Luftës së Dytë Botërore luftoi e kundër Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik në periudha të ndryshme kohore. Këto grupe akuzohen se kanë kryer fushata të vrasjeve ndaj polakëve dhe hebrenjve.

Megjithatë, shumë ukrainas i konsiderojnë ata si luftëtarë të lirisë – një perceptim që është forcuar teksa vendi përpiqet t’i rezistojë pushtimit rus, 35 vjet pasi fitoi pavarësinë nga Moska me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Polonia, e cila i ka të freskëta ende kujtimet e hidhura të pushtimit nazisto-sovjetik të vitit 1939 dhe të dekadave të dominimit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

“Gabim strategjik” Siç tregoi paraqitja e përbashkët e Zelenskyt dhe Dudës në vitin 2023, të dyja shtetet kishin arritur t’i mbanin tensionet historike kryesisht nën kontroll. Por, tani përplasja publike po helmatis marrëdhëniet dypalëshe dhe po rrit rrezikun e problemeve më të mëdha në një moment vendimtar.

“Përfshirja në një konflikt mes politikanëve të Polonisë dhe Ukrainës është një gabim strategjik që do t’i dëmtojë të dyja palët: në aspektin ekonomik, gjeopolitik dhe atë të reputacionit”, paralajmëroi kryeministri polak, Donald Tusk, përmes një postimi në X muajin e kaluar. Ukraina mund të ketë më shumë për të humbur.

“Ukraina rrezikon të dëmtojë seriozisht mbështetjen që gëzon nga Polonia”, i tha Radios Evropa e Lirë Lucian Kim, analist për Ukrainën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, duke theksuar se kjo mbështetje është “vendimtare” për disa arsye. “Ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën kalon përmes Polonisë. Polonia strehon rreth 1 milion refugjatë ukrainas”, tha Kim.

“Mbështetja polake do të jetë po ashtu e domosdoshme për aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në BE”. Figurat kryesore në këtë përplasje janë Zelensky dhe pasardhësi i Dudës, presidenti polak, Karol Nawrocki, një historian populist, ish-drejtor i një muzeu të Luftës së Dytë Botërore dhe ish-kreu i Institutit të Kujtesës Kombëtare, të cilin partia konservatore Ligji dhe Drejtësia (PiS) e kandidoi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2025.

Më , Nawrocki njoftoi se po ia heq Zelenskyt Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, që është medalja më e lartë shtetërore e Polonisë, për shkak të vendimit të tij lidhur me “Heronjtë e UPA-s”. Zelensky ia ktheu medaljen Polonisë, ndërsa të njëjtën gjë bënë edhe tre paraardhësit e tij që kishin marrë këtë dekoratë – Leonid Kuchma, Viktor Yushchenko dhe Petro Poroshenko.

Më pas, më 28 qershor ai dorëzoi në Parlament një projektligj për krijimin e një Panteoni Kombëtar për të nderuar figura kyç të historisë së Ukrainës, duke deklaruar se “askush nuk do të na tregojë se cilët heronj duhet të nderojmë”.

Një zëdhënës i Nawrockit, i cili kishte thënë se Polonia “nuk duhet të mbetet indiferente ndaj lavdërimit të simboleve të krimit”, e quajti projektligjin për panteonin si “fazë të re të përshkallëzimit”.

Fushata zgjedhore Megjithëse përplasja e ka zanafillën te gjakderdhja e para më shumë se 80 vjetëve, analistët dhe vëzhguesit thanë se rritja e tensioneve lidhet në masë të madhe me çështjet e brendshme politike në Ukrainë dhe Poloni.

Në Poloni, kjo çështje është pjesë e një “mjedisi parazgjedhor”, ku “faktori Ukrainë mund të përdoret për të fituar vota”, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së, që foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës.

Partia opozitare PiS po përpiqet të fitojë terren ndaj Koalicionit Qytetar të Donald Tuskut, pari më miqësor ndaj Ukrainës, i cili e largoi nga pushteti këtë parti në vitin 2024, në prag të zgjedhjeve parlamentare që duhet të mbahen deri në nëntor të vitit 2027.

Mosmarrëveshja për vrasjet gjatë Luftës së Dytë Botërore mund t’i mundësojë Nawrockit dhe PiS-it të përfitojnë nga ndjenjat e konsiderueshme anti-ukrainase në Poloni, të nxitura nga pakënaqësia për fluksin e ukrainasve të zhvendosur nga pushtimi rus. Sondazhet tregojnë se pranimi i refugjatëve ukrainas ka rënë ndjeshëm, teksa lufta po vazhdon.

Në Ukrainë, zgjedhjet është e ndaluar që të mbahen për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës, e cila është në fuqi që nga fillimi i pushtimit. Megjithatë, mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në një të ardhme jo shumë të largët ka marrë rëndësi për shkak të presionit të herëpashershëm nga jashtë dhe shqetësimeve të disa ukrainasve për shtatë vitet e Zelenskyt në pushtet.

Edhe pse ai vazhdon të gëzojë mbështetje të lartë, një lloj fushate jozyrtare tashmë po zhvillohet mes tij dhe rivalëve të mundshëm. “Është e qartë se Zelensky veproi vetëm për arsye të politikës së brendshme dhe nuk mendoi se si mund të perceptohej kjo jashtë Ukrainës”, tha Kim për vendimin për t’i dhënë një njësiti të forcave speciale emrin “Heronjtë e UPA-s”.

“Zelensky po mbështillet gjithnjë e më shumë me petkun e nacionalizmit ukrainas dhe po mban qëndrime që ndoshta nuk do t’i kishte mbajtur më parë”, tha ai duke shtuar se pushtimi rus i ka bërë forcat sikurse UPA më pak të debatueshme brenda Ukrainës sesa ishin dikur.

Kur Zelensky kandidoi për president në vitin 2019, “çështjet historike dhe e kaluara nuk kishin asnjë rëndësi për të”, tha për Radion Evropa e Lirë Ihor Hryniv, strateg politik, i cili e drejtoi shtabin zgjedhor të presidentit të atëhershëm ukrainas, Petro Poroshenko.

“Problemet në të ardhmen” Sipas Hrynivit, Zelensky po përpiqet të marrë atë pjesë të elektoratit që nuk e votoi në vitin 2019 dhe për të cilën kujtesa historike ka rëndësi, pjesërisht sepse rivalët e tij “shihen si më patriotë se vetë Zelensky”.

Si pasojë, argumentoi ai, Zelensky nganjëherë “ecën më shpejt se vetë shoqëria” në çështjet që lidhen me figurat nacionaliste të së kaluarës dhe “nuk i kupton problemet që mund të lindin me fqinjët apo edhe brenda Ukrainës”. Shkalla e këtyre problemeve mbetet ende e paqartë.

Heqja e Urdhrit të Shqiponjës së Bardhë për Zelenskyn “nuk nënkupton ndryshim të drejtimit strategjik të politikës së sigurisë së Polonisë”, tha Nawrocki. “Ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, sepse e dimë se agresioni rus përbën kërcënim për sigurinë e Polonisë dhe të gjithë Evropës”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rruga e Ukrainës drejt BE-së “kërkon gatishmëri për t’u përballur me me kapitujt e vështirë të historisë së saj”. “Evropa e bashkuar u ndërtua mbi refuzimin e totalitarizmit dhe kultit të dhunës. Këto parime duhet të vlejnë për të gjithë. Për ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk mund të ketë vend në BE dhe Polonia sigurisht që nuk do ta lejojë këtë”, tha Nawrocki.

I pyetur nëse mosmarrëveshja me Poloninë do të ndikojë në perspektivën evropiane të Ukrainës, zyrtari i BE-së tha: “Në planin afatshkurtër, jo. Në afat të gjatë, ndoshta shumë”. Polonia, një nga 27 shtetet anëtare të BE-së, së fundi dha pëlqimin për hapjen e një grupi kapitujsh negociues për Ukrainën, duke çuar përpara procesin e anëtarësimit.

Megjithatë, sipas zyrtarit, hapja e grupeve të tjera të kapitujve dhe mbyllja e tyre mund të jetë e vështirë. Pavarësisht nëse kjo përplasje do ta ngadalësojë apo jo rrugën e Ukrainës drejt BE-së, Kim tha se ajo “nxjerr në pah problemet që e presin” – probleme që lidhen më shumë me të tashmen dhe të ardhmen sesa me të kaluarën.

Frika e fermerëve polakë se importet bujqësore nga Ukraina mund t’i nxjerrin nga tregu ka nxitur protesta, teksa edhe shoferët polakë të kamionëve kanë shqetësime të ngjashme nëse Ukraina i bashkohet BE-së. Këto shqetësime ndahen edhe nga vendet të tjera të rajonit.

Deri tani nuk ka shenja se tensionet mes Kievit dhe Varshavës do të ndikojnë në marrëdhëniet, herë pas here të lëkundshme, mes SHBA-së dhe Ukrainës apo në përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Trump e lavdëroi Nawrockin gjatë një takimi me Zelenskyn në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi më 8 korrik, por nuk e përmendi mosmarrëveshjen për çështje historike. Përshkallëzim apo ulje të tensioneve Ka pasur edhe përpjekje për uljen e tensioneve.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, u takua më në Varshavë me homologun e tij polak, Radoslaw Sikorski, dhe tha se kishte propozuar “një paketë masash për tejkalimin e krizës”, që përfshinte takime mes diplomatëve dhe historianëve, si dhe angazhimin e udhëheqësve fetarë “për të shfrytëzuar autoritetin e tyre”. Nuk është e qartë nëse është arritur ndonjë marrëveshje.

Për herë të parë që nga shpërthimi i përplasjes, Zelensky dhe Nawrocki u takuan për rreth një orë më në margjinat e samitit të NATO-s në Ankara. Nawrocki tha se “nuk arritëm t’i zgjidhnim çështjet historike”, por shtoi se as nuk e kishte pritur që të ndodhte një gjë e tillë.

Zelensky e cilësoi takimin si “një bisedë të rëndësishme dhe të domosdoshme”, ndërsa të dy presidentët thanë se Rusia mbetet kërcënimi i përbashkët. Tensionet vazhduan edhe në prag të përkujtimit vjetor në Poloni të viktimave më .

Shefi i Zyrës së presidentit të Ukrainës dhe ish-kreu i inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, deklaroi në një intervistë për RBC-Ukraine se kishte informacione, sipas të cilave, Polonia po “përgatit një sërë hapash përshkallëzues” dhe se tensionet ka të ngjarë të vazhdojnë. Ai nuk dha detaje apo dëshmi për këtë pretendim.

Analistët thanë se Zelensky mund të mos e ketë kuptuar se emërtimi i një njësiti ushtarak me emrin “Heronjtë e UPA-s” do të shkaktonte reagime jashtë Ukrainës.

Megjithatë, suksesi i Kievit në frenimin e forcave ruse në një luftë që shumëkush mendonte se do të përfundonte shpejt dhe me humbjen e Ukrainës, mund t’ia ketë rritur vetëbesimin atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në arenën ndërkombëtare. “Ukraina nuk do të pranojë ultimatume nga askush në botë. I fundit që u përpoq të na vendoste ultimatum ishte Federata Ruse”, tha Budanov.

“Pa dashur të ofendoj Poloninë, por Rusia është disi më e fuqishme se Polonia… Mos na flisni me ultimatume”./ REL

Burimi: Kallxo