YAHR publikon raportin monitorues për punën e Kuvendit Komunal të

0%

Lipjan, korrik 2026 – Youth Association for Human Rights (YAHR) ka publikuar Raportin Monitorues mbi Punën e Legjislativit të Komunës së Lipjanit për periudhën janar–qershor 2026, i cili paraqet një vlerësim të pavarur të funksionimit të Kuvendit Komunal, nivelit të transparencës, llogaridhënies dhe performancës së kuvendarëve.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Kuvendi i Komunës së Lipjanit ka mbajtur 5 seanca plenare (4 të rregullta dhe 1 të jashtëzakonshme), në të cilat janë miratuar 38 vendime, 1 rregullore dhe janë shqyrtuar 2 raporte financiare të ekzekutivit komunal.

Aktiviteti i Kuvendit është fokusuar kryesisht në administrimin e pronës komunale, planifikimin buxhetor, organizimin institucional dhe miratimin e dokumenteve strategjike. Raporti evidenton se, megjithëse Kuvendi ka zhvilluar një aktivitet të rregullt vendimmarrës, niveli i angazhimit të kuvendarëve ka qenë i pabarabartë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas metodologjisë së YAHR-së, Arsim Jashari (PDK) është renditur si kuvendari më aktiv me 157 pikë, i ndjekur nga Shahadije Bikliqi-Dragaçina (LVV) me 112 pikë dhe Argjent Tasholli (PDK) me 74 pikë. Në të njëjtën kohë, 10 nga 31 kuvendarë nuk kanë regjistruar asnjë aktivitet në diskutime, pyetje parlamentare apo inicim të çështjeve gjatë periudhës së monitoruar.

Analiza sipas subjekteve politike tregon se opozita ka dominuar debatet në Kuvend. PDK ka realizuar 43 diskutime (47.78%), LVV 27 diskutime (30%), ndërsa LDK 20 diskutime (22.22%). Së bashku, subjektet opozitare kanë zhvilluar 77.78% të të gjitha diskutimeve të regjistruara gjatë seancave plenare, duke ushtruar pjesën më të madhe të funksionit mbikëqyrës ndaj ekzekutivit komunal.

Raporti vëren gjithashtu se Kuvendi ka miratuar dokumente me rëndësi strategjike, përfshirë Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029, Planin Komunal të Veprimit për të Zhvendosurit dhe Zgjidhjet e Qëndrueshme 2026–2028, Planin e Transportit Rrugor të Udhëtarëve 2026–2030 dhe Rregulloren për taksat dhe gjobat komunale.

Megjithatë, YAHR vlerëson se numri i dokumenteve strategjike mbetet i kufizuar krahasuar me numrin e madh të vendimeve administrative të miratuara.

Në raport theksohet se shqyrtimi i raporteve financiare nga Kuvendi duhet të shoqërohet me analiza më të thelluara dhe diskutime më substanciale për realizimin e buxhetit, investimet kapitale dhe menaxhimin e mjeteve publike, me qëllim forcimin e llogaridhënies institucionale.

Duke u bazuar në gjetjet e monitorimit, YAHR rekomandon rritjen e pjesëmarrjes aktive të të gjithë kuvendarëve në debatet plenare, forcimin e rolit mbikëqyrës ndaj ekzekutivit, shqyrtimin më të gjerë të dokumenteve strategjike dhe zhvillimin e diskutimeve më cilësore mbi çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

YAHR do të vazhdojë monitorimin e pavarur të institucioneve lokale me qëllim promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike, duke informuar qytetarët mbi punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Linku i shkarkimit të raportit:

Burimi: Bota Sot