Sot u përmbyll me sukses FIVB Coaches Course – Level II Volleyball, i organizuar nga Federata e Volejbollit e Kosovës, pas pesë ditësh të mbushura me ligjërata, sesione praktike dhe testime profesionale. Në ditën e fundit, në ambientet e Hotel Ador në Prishtinë, pjesëmarrësit iu nënshtruan testit teorik, duke përmbyllur procesin e vlerësimit të njohurive të fituara gjatë kursit.
“Nga afër e përcolli zhvillimin e testimit edhe z. Valon Nikqi, në cilësinë e Drejtorit të Kursit, i cili përgëzoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë programit.
Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të veçantë për instruktorin e FIVB-së, Kristian Michailov, për profesionalizmin, përkushtimin dhe ndarjen e njohurive me trajnerët pjesëmarrës, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të tyre.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe programin Olympic Solidarity, mbështetja e të cilëve bëri të mundur realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e volejbollit në vend.
Po ashtu, Federata falënderon të gjithë trajnerët pjesëmarrës për interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre gjatë pesë ditëve të kursit, duke dëshmuar vullnetin për zhvillim dhe avancim të vazhdueshëm profesional.
Së bashku, me dije, përkushtim dhe bashkëpunim, vazhdojmë misionin tonë të përbashkët për ta ngritur volejbollin e Kosovës drejt standardeve dhe niveleve botërore” , thuhet nga FVK.