Qatip Mara është autor i disa librave analitiko-historik, ku përcillen ngjarje dhe figura të elitës shoqërore, intelektualë e personalitete me peshë dhe rrezonancë të fortë në formimin dhe brumosjen e vetëdijes së lirisë dhe progresit kombëtar.
Ai fokuson në librat e tij çështje të fatit historik të shqiptarëve në përballje me lukunitë e pushtuesve nga jashtë e nga brenda, si dhe shfaqjen e figurave emblematike në kthesat epokale të shqiptarisë.
Gjithashtu është edhe autor i disa librave ku rrëfen baticat dhe zbaticat e jetës së tij, në udhëkryqe kohësh dhe situatash të vështira, gati të pamundura, përballjen me të cilat autori i tregon me një gjuhë të drejtpërdrejtë, të thjeshtë e të zhveshur nga pozat e heroit dhe mitologjia e madhështisë, me të cilat janë mbushur dëng “bibliotekat e unit”, siç mund të thoshte Umberto Eco.
Një pjesë të mirë të këtij eksplorimi publicistiko-historik, Qatip Mara ia kushton arsimit, ku punoi gjatë gjithë jetës, deri sa doli në pension, si mësues dhe inspektor shembullor, nga Vlora në Selenicë e Tiranë, duke na sjellë një arkiv të shkëlqyer kujtese dhe përvoje për t’u ndjekur…Në këtë shtrat narrativ vjen dhe libri i tij i fundit, ndodhitë e të cilit zhvillohen në Selenicë, në një qytezë të pagjumë, që ishte krijuar dhe jetonte për hir të nëntokës, e cila, siç duket, ka lënë gjurmë të thella në vetedijen e autorit.
Libri “Kur nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi”, me bashkëautor Ilia Bombaj, i cili është njëherësh edhe protagonist i librit, është një rrëfim i ngrohtë, i shtruar dhe i thellë, plot kolorit ndjesor dhe emocional, për gjurmët e mësuesit në kohë, për marrëdheniet e tij me prindër e kolegë, me banorët e një qyteze ku jeta e mbitokës dhe nëntokës përziheshin e shkriheshin në një peizazh sa idilik e romantik, aq dhe të trishtë e të ngrysur, si vetë ajo epokë e fragmentizuar dhe e dyzuar, në të cilën zhvillohen ngjarjet e këtij libri.
Libri i dedikohet ish nxënësit të përkushtuar e të talentuar Ilia Bombaj, i cili eci në udhëtimin e tij të jetës me dinjitet, me pasionin e epërm të mesimdhenies dhe talentin e spikatur si shkrimtar, poet dhe kulturolog.
Gjithashtu, në faqet e tij, lëvizin dhjetëra emra nxënësish të zellshëm, që e vazhduan udhën e dijes dhe u bënë modele suksesi në Selenicë e me gjërë, në të gjithë shqiptarinë, por dhe në diasporë, ku punojnë e jetojnë.
Libri është një arkiv i gjallé kujtese dhe emocioni, ku parakalojnë ngjarje, situata, figura, marrëdhënie njerëzore, ndjesi, mbresa dhe refleksione mbi të ndodhurën, faqe që lexohen me një frymë dhe të mbeten në mendje, të pashlyeshme…
Në libër lëvizin virtyte dhe vlera ekzistenciale, thesare të jetës njerëzore, si dashuria, respekti, mirënjohja, ndihma ndaj kolegut, ngrohtësia e komunikimit me nxënësit dhe përfshirja emocionale e prindërve në çeshtjet komplekse dhe plot enigma të arsimit dhe dijes.
Vetë epoka komuniste, me dritë hijet e saj, me dukjet hipokrite, fasadat, agjitpropin, por dhe me madhështinë e njeriut të punës, që ngrihej nga balta për të krijuar individualitetin e tij, për të qenë një zë, sado modest dhe jo një fasadë në dekorin e mashtrimit të madh, gjen një pasqyrim të thukët e të detajuar në faqet e këtij libri.
Ky libër është një reflektim mbi kujtesën, si ura që lidh brezat dhe kohët, duke lënë gjurmët e saj mbi shpirtin dhe mendjen njerëzore, mbi protagonistët dhe personazhet, që jetuan dhe punuan për të rrëfyer, për të percjellë vlera dhe mesazhe gjithëkohore.
Kapitull pas kaputulli, faqe pas faqeje, pasazh pas pasazhi, autorët zbulojnë magjinë e jetës së thjeshtë, të ndërtuar me punë e sakrifica, bukurinë e marrëdhënieve të sinqerta njerëzore, rolin e shkollës dhe të mësuesit në formimin e brezave, mbështetjen e fuqishme morale dhe shpirtërore që komuniteti i jepte arsimtarit, si faktori numër një në dhënien e dijeve dhe përgatitjen psikologjike e shpirterore të të rinjve, për udhëtimin e mëtejshëm të jetës.
Në një kapitull të veçantë, të shkruar me ngrohtësi dhe mirënjohje për gjurmët që lanë pas në kohë, gjejnë vend ata që nuk jetojnë më dhe që dhanë më të mirën e mundshme në rrugëtimin e tyre të jetës, si mësues dhe veprimtarë model të dijes dhe edukimit të brezave më të rinj.
Libri është shkruar me një stil rrëfimor të ngrohtë, ku ka përshkrime të gjalla që të mbeten në mendje, portrete, skica, ese, refleksione mbi të ndodhurat, të cilat shkrihen në njëra tjetrën dhe unifikohen në mesazhime që vlejnë për sot dhe për nesër.
Ky libër, edhe pse ka në fokus një copëz kohore të shkollës dhe arsimit në Selenicë, me enigmat, rebuset, por dhe përkushtimin e epërm të mësuesit, në një kohe të vështirë, duhet lexuar nga çdo mësues e nxënës, kudo dhe në çdo kohë, pasi mesazhet e tij janë të gjalla e të freskëta dhe burim frymëzimi e përkushtim për të gjithë dhe përgjithmonë…
