Analizohet takimi Kurti- Hamza, paralajmërohen zhvillime: Ky është

0%

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nisi edhe zyrtarisht konsultimet me partitë politike për formimin e institucioneve të reja. Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kurti, menjëherë pas kthimit nga Greqia, zhvilloi të premten takimet e para me përfaqësuesit e subjekteve politike.

Paradite, ai priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Pas takimit, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, ndonëse bëri të ditur se palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Sipas tij, takimi përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të konsultimeve për konstituimin e institucioneve të reja.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, u shpreh Kurti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, lideri i LVV-së iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, duke thënë se për këtë proces nevojitet mbështetja e 80 deputetëve. Ai vlerësoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, së bashku, kanë numrat e nevojshëm për ta çuar përpara këtë proces.

Kurti shprehu keqardhje edhe për refuzimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, për të zhvilluar një takim konsultativ. “Kur i mblodha numrat e deputetëve nuk thashë plus shtatë, pasi kryetari i Aleancës nuk e ka parë të domosdoshme dhe të rëndësishme të takohet me mua. Mendoj që do të duhej të takohej.

Nuk është në rregull që një parti e respektuar si AAK të mos takohet me mua. Andaj më duhet të them 93 në vend që të them 100 deputetë”, deklaroi Kurti. Kreu i LVV-së theksoi se përgjegjësia kryesore për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa zgjedhja e presidentit, sipas tij, kërkon një konsensus më të gjerë politik.

“Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve, kam përgjegjësi për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale.

Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, theksoi ai. Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin, bëri të qartë se partia që drejton synon të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati.

Hamza tha se takimi është zhvilluar në një atmosferë korrekte, ndërsa rikujtoi se PDK-ja në zgjedhje ka garuar me një program të fokusuar në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, energjinë dhe infrastrukturën. “Posa e përfunduam takimin me Kurtin.

PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike” , tha Hamza.

Megjithatë, bazuar në diskutimet e zhvilluara, ai tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar. “Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.

Hamza theksoi se konstituimi i institucioneve kërkon bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit. “Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, deklaroi Hamza.

Analisti politik, Lirim Gashi, thotë takimi në vetvete është sinjal pozitiv. Sipas tij, si Kurti ashtu edhe Hamza kanë ruajtur pozicionet e tyre politike dhe se komunikimi mund të vazhdojë. “Takimi në vetvete është një sinjal pozitiv, sepse tregon se kanalet e komunikimit institucional mbeten të hapura edhe kur dallimet politike janë të thella.

Nga deklaratat publike shihet se të dyja palët i kanë ruajtur pozicionet e tyre politike: Vetëvendosje synon të gjejë zgjidhje për funksionalizimin e institucioneve, ndërsa PDK-ja ka ritheksuar se synon të mbetet në opozitë. Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë e takimeve të tjera. Në demokracitë parlamentare dialogu nuk nënkupton domosdoshmërisht arritjen e një koalicioni qeverisës.

Ai mund të shërbejë për koordinim institucional, për menaxhimin e çështjeve me interes shtetëror dhe për kërkimin e konsensusit në tema që kërkojnë shumicë të cilësuar. Prandaj, mendoj se komunikimi do të vazhdojë, edhe nëse secila palë mbetet në pozicionin e saj politik” , shprehet Gashi për “Bota sot”.

Lirim Gashi I pyetur se pas takimit Kurti- Hamza cilat janë opsionet më reale për Vetëvendosjen për të siguruar votat e nevojshme për postin e presidentit, Gashi thotë se opsion më real mbetet ndërtimi i një marrëveshje më të gjerë politike me një ose me shumë parti parlamentare. “Zgjedhja e presidentit në Kosovë ka kërkuar tradicionalisht një shkallë të caktuar konsensusi politik.

Asnjë subjekt nuk mund ta trajtojë këtë proces vetëm si çështje të shumicës parlamentare, pasi kushtetuta dhe aritmetika parlamentare imponojnë dialog.

Opsioni më realist për Vetëvendosjen mbetet ndërtimi i një marrëveshjeje më të gjerë politike me një ose më shumë parti parlamentare, qoftë përmes mbështetjes së një kandidati konsensual, qoftë përmes një marrëveshjeje që garanton pjesëmarrjen në procesin e votimit. Alternativat e tjera janë shumë më të vështira për t’u realizuar pa kompromis politik.

Për këtë arsye, periudha në vijim pritet të karakterizohet nga negociata dhe përpjekje për të ndërtuar ura bashkëpunimi ”, thekson analisti. Në anën tjetër, duke folur rreth paralajmërimit të PDK-së se do të mbështesë qeverinë për çështjet që janë në interes të shtetit, si marrëveshjet ndërkombëtare, Gashi këtë e sheh si model të mundur.

Sipas tij, nëse kjo qasje zbatohet në mënyrë konsistente, mund të krijojë një klimë më konstruktive politike “Po, një model i tillë është plotësisht i mundur dhe praktikohet edhe në shumë demokraci parlamentare. Opozita nuk e humb rolin e saj kritik vetëm pse mbështet iniciativa që i konsideron në interes të shtetit.

Përkundrazi, dallimi ndërmjet mbështetjes selektive dhe pjesëmarrjes në qeveri është një element normal i kulturës demokratike.

Nëse kjo qasje zbatohet në mënyrë konsistente, mund të krijojë një klimë më konstruktive politike, ku reformat strategjike, marrëveshjet ndërkombëtare, proceset integruese dhe çështjet e sigurisë trajtohen me përgjegjësi institucionale, ndërsa konkurrenca politike vazhdon në fushat programore dhe qeverisëse.

Një bashkëpunim i tillë nuk do të thotë zbehje e rolit të opozitës, por një ndarje më e qartë ndërmjet interesit partiak dhe interesit shtetëror”, përfundon Gashi.

Burimi: Bota Sot