Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, duke thënë se edhe 31 vjet pas krimit, plagët vazhdojnë të jenë të hapura, ndërsa mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve vazhdojnë ta rëndojnë kujtesën dhe përpjekjen për drejtësi.
Në një postim të publikuar me rastin e përvjetorit, Gara ka thënë se përkujtimi i viktimave është thirrje që krime të tilla të mos harrohen dhe të mos përsëriten më. “Gjenocidi i Srebrenicës mbetet një nga krimet më të rënda të kryera në fund të shekullit XX, në zemër të Evropës dhe para syve të botës”- ka shkruar Gara më .
Ai ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe me Institutin për Persona të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa ka bërë të ditur se në këtë përvjetor po varrosen edhe dhjetë viktima të tjera të identifikuara.
Sipas Garës, viktimat që po varrosen janë: Senad Jusiq, Muriz Barakoviq, Hamed Musiq, Ramo Aliq, Muhidin Osmanoviq, Huso Qerimoviq, Nuko Nukiq, Ahmet Gushter, Asim Kuniq dhe Ramo Dautoviq. Këto viktima ishin të moshës nga 20 deri në 56 vjeç. “Edhe këtë vit babai do të prehet pranë djalit, vëllai pranë vëllait dhe të afërmit pranë të afërmve të tyre”- ka shkruar ai në Facebook.
Gara, duke iu referuar të dhënave të Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, ka thënë se vazhdon kërkimi dhe puna për identifikimin e rreth 900 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Sipas tij, 7,566 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa familjet e tyre ende presin të mësojnë të vërtetën dhe të kenë një varr ku mund të vendosin lule. Në postimin e tij, Gara ka tërhequr një paralele ndërmjet përvojës së familjeve të viktimave në Bosnjë e Hercegovinë dhe atyre në Kosovë.
“Populli i Kosovës e njeh peshën e dhimbjes, gjenocidit, të varrezave masive, të të zhdukurve me forcë dhe të pritjes pafund të familjeve për t’i gjetur dhe varrosur më të dashurit e tyre”- është shprehur ai.
Gara ka përmendur se në zonën e Zvornikut, ku janë gjetur disa prej viktimave që po rivarrosen në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari, gjatë viteve janë gjetur dhe identifikuar edhe viktima shqiptare nga Kosova. Në mesin e tyre, sipas Garës, është Nezir Tahiraj nga Tërdevci i Drenasit, eshtrat e të cilit u riatdhesuan në Kosovë në janar të vitit 2009.
Ai ka përmendur edhe Rifat Berishën nga Gurbardhi i Malishevës, i cili u riatdhesua dhe u rivarros në Kosovë në vitin 2019, si dhe Shani Nezajn nga Romaja e Prizrenit, Vehbi Malokun dhe Sylejman Berishën nga Podujeva, të cilët u riatdhesuan në gusht të vitit 2009.
Sipas Garës, ata ishin viktima të zhdukjes me forcë, të vrarë dhe të zhdukur në Bosnjë e Hercegovinë, të cilët u identifikuan dhe u riatdhesuan në Kosovë pas angazhimit të familjeve, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, organizatave ndërkombëtare dhe shoqatave familjare. Në këtë proces, ai ka përmendur edhe angazhimin e Shoqatës “Përkorë” nga Podujeva.
“Identifikime dhe riatdhesime përtej kufijve, që dëshmojnë se kufijtë nuk e ndajnë dhimbjen, sepse lotët e nënave të Srebrenicës dhe të Kosovës rrjedhin nga e njëjta tragjedi njerëzore”- ka shkruar Gara. Ai ka shtuar se Srebrenica dhe Kosova janë të lidhura nga një histori e përbashkët e vuajtjes, varrezave masive dhe kërkimit të pandërprerë për të vërtetën dhe drejtësinë.
“E vërteta dhe drejtësia janë detyrim i përbashkët, që krime të tilla të mos përsëriten kurrë dhe askund”- ka përfunduar Gara.
