Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin me ish-presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Kurti ka bërë të ditur se biseda është fokusuar te parimet dhe mënyra e arritjes së konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit.
I pyetur nëse gjatë takimit është diskutuar për një mandat të ri të Vjosa Osmanit në krye të Presidencës, Kurti nuk ka komentuar emra të veçantë, duke theksuar se fokusi aktual është te konceptet dhe vizioni politik. “Ne besojmë që fryma dhe germa e Kushtetutës është për një president që është shprehje e unitetit të popullit dhe, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual.
Jemi të interesuar që ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që do të qëndrojnë në sallë”, tha Kurti. Kryetari i VV-së ka rikujtuar se edhe në të kaluarën janë përmendur emra të ndryshëm për postin e presidentit, përfshirë Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, por sipas tij sfida kryesore mbetet sigurimi i kuorumit prej të paktën 80 deputetëve.
“Mund të zgjedhim ndonjë emër të përveçëm, por numri 80, që është minimumi, është vështirë i arritshëm. Prandaj përqendrimi ynë nuk ka qenë te emrat e përveçëm për president, por te konceptet, parimet dhe vizioni përpara, si dhe te mënyra se si të maksimizohet numri i deputetëve që do të jenë të pranishëm në ditën vendimtare të zgjedhjes së presidentit”, deklaroi Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
