Gardat Revolucionare të Iranit kanë bërë të ditur se kanë shënjestruar bazat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, pasi SHBA-ja nisi një valë sulmesh ushtarake ndaj Iranit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj tankerëve në Ngushticën e Hormuzit, ka raportuar të mërkurën () Reuters .
Në goditjen e fundit ndaj marrëveshjes së brishtë të armëpushimit, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike kanë thënë se kanë kryer një operacion të përbashkët me raketa dhe dronë kundër bazave kryesore ushtarake amerikane në Bandar Salman, në Distriktin e Pestë Detar të Bahrejnit dhe bazën ajrore, “Ali Al Salem”, në Kuvajt, dhe rrëzuan një dron amerikan MQ-9 që po përpiqej të ndërhynte në operacion.
Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në Bahrejn dhe Kuvajt, dhe ushtria kuvajtiane ka njoftuar se mbrojtja ajrore po përballej me sulme “armiqësore” me raketa dhe dronë. Nuk pati komente të menjëhershme mbi sulmet nga ushtria amerikane. SHBA-ja më parë nisi sulme të reja ushtarake dhe revokoi licencën që i lejonte Iranit të shiste naftë në përgjigje të sulmeve ndaj tre tankerëve në ngushticë.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se më shumë se 60 anije të vogla të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike ishin ndër objektivat e goditura gjatë operacionit, i cili kishte për qëllim t’i impononte kosto të lartë Iranit për sulmet ndaj anijeve në kundërshtim me kushtet e armëpushimit.
“Agresioni i pajustifikuar nga forcat iraniane është një shkelje e qartë dhe e rrezikshme e armëpushimit dhe minon lirinë e lundrimit”, thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka deklaruar gazetarëve para samitit të liderëve të NATO-s në Ankara se sulmet e reja nga SHBA-ja ndaj Iranit ishin “absolutisht të nevojshme”.
“Kur ke një armëpushim dhe Irani në thelb po e shkel armëpushimin, mendoj se është absolutisht e rëndësishme që SHBA-ja të reagojë me forcë”, ka thënë Rutte.
Komanda më e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit, Shtabi Qendror, ka dënuar sulmet e SHBA-së si “akt të hapur agresioni”, duke kërcënuar me “përgjigje shkatërruese” dhe ka paralajmëruar se Teherani nuk do të lejojë ndërhyrjen e SHBA-së në menaxhimin e ngushticës. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
