Selektori i Kolumbisë, Nestor Lorenzo, ka bërë thirrje për qetësi dhe përqendrim maksimal para ndeshjes së sotme (22.00) 1/8 së finales së Kampionatit Botëror kundër Zvicrës, duke theksuar se skuadra e tij nuk duhet të mendojë për asgjë tjetër përveç sfidës së së martës në stadiumin “BC Place” në Vancouver.
Selektori u përpoq të ulë entuziazmin që ka përfshirë opinionin sportiv në Kolumbi pas paraqitjeve të mira të ekipit në fazën e grupeve. “Ne mendojmë vetëm për Zvicrën. Nuk shikojmë përtej kësaj ndeshjeje. Nuk ka kuptim të flasim për çerekfinalen apo më larg. E gjithë vëmendja jonë është te kundërshtari i radhë s”, deklaroi Lorenzo.
Lorenzo foli me shumë respekt për Zvicrën e drejtuar nga Murat Yakin, duke e cilësuar si një nga skuadrat më të organizuara të turneut. “Zvicra është një ekip shumë i organizuar, por mbi të gjitha ka futbollistë me cilësi të lartë. Nga mesfusha deri në sulm kanë lojtarë që mund ta vendosin ndeshjen në çdo moment.
Granit Xhaka është lideri i tyre, ndërsa Johan Manzambi është një futbollist me potencial të madh. E dimë se na pret një sfidë shumë e vështirë”, tha ai. Selektori shtoi se Zvicra ka vite që punon me një projekt të qëndrueshëm dhe, edhe pse ka rinovuar skuadrën, vazhdon të jetë një kombëtare me identitet të qartë dhe nivel të lartë. “Është një ekip që punon prej shumë vitesh së bashku.
Ka përvojë, disiplinë taktike dhe futbollistë të nivelit ndërkombëtar. Do të duhet të japim maksimumin nëse duam të kualifikohemi “, u shpreh Lorenzo, transmeton media kolumbiane “Diariodeportes”. Lajmi më i keq për Kolumbinë lidhet me sulmuesin Jhon Cordoba. Lorenzo konfirmoi se ai ka pësuar një dëmtim muskulor dhe nuk do të jetë më në dispozicion deri në fund të turneut.
“Jhon ka pësuar një tërheqje muskulore. Fatkeqësisht, ai do ta humbasë pjesën e mbetur të Kampionatit Botëror”, konfirmoi trajneri. Mungesa e tij pritet t’i japë një mundësi të re Luis Javier Suárezit, i cili ishte titullar në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve, por më pas humbi vendin në formacion.
Lorenzo u pyet edhe për presionin që ka skuadra e tij, pasi shumë e konsiderojnë Kolumbinë favorite për të kaluar në çerekfinale. “Preferoj të mos jemi në pozitën e favoritit. Në futboll nuk fitohet me etiketa, por me atë që tregon në fushë. Kemi mësuar ta menaxhojmë presionin dhe duhet të vazhdojmë të ecim hap pas hap i”, theksoi ai.
Sipas tij, pritshmëritë e mëdha nuk duhet të ndikojnë në lojën e ekipit, pasi çdo ndeshje në një Kampionat Botëror është një histori më vete. Kolumbia do të zbresë në fushë me objektivin për të siguruar një vend në çerekfinale, por Lorenzo është i bindur se kjo mund të arrihet vetëm nëse skuadra e tij respekton maksimalisht Zvicrën dhe shmang çdo tepricë vetëbesimi.
“Duhet të jemi të përulur, të disiplinuar dhe të luajmë me inteligjencë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë rrugëtimin tonë në këtë Botëror” , përfundoi selektori i Kolumbisë.
