Raporti i FMN-së për rritjen ekonomike përplas pushtetin me opozitën

0%

Shpërndaje në: FMN-ja ka parashikuar që në pesë vjetët e ardhshëm ekonomia e Kosovës të rritet secilin vit mesatarisht për 3.59 për qind. Duke iu referuar raportit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Kosova pritet të jetë ndër top-vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë.

Atij iu kundërpërgjigj deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arben Mustafa, sipas të cilit Murati po mburret me stagnim Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për rritjen e ekonomisë së Kosovës kanë nxitur përplasje të martën, mes pushtetit dhe opozitës.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, iu referua raportit të publikuar nga Euronews, dhe theksoi se Kosova “pritet të jetë ndër top-vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë gjatë viteve të ardhshme”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas FMN-së, përderisa eurozona pritet të ketë rritje mesatare prej vetëm 1.2 për qind në vit gjatë periudhës 2027-2031, Kosova do të shënojë rritje prej 3.95 për qind, dhe më mirë se ajo do të performojë vetëm Malta. Por, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arben Mustafa, tha se ministri Murati po mburret me stagnim.

“Sot ai iu referua një raporti që parashikon se rritja ekonomike e Kosovës do të rritet nga 3.5% këtë vit në vetëm 3.95% deri në vitin 2031. Kjo nuk është arsye për t’u mburrur. Kjo tregon se kjo qeveri nuk ka ambicie për zhvillim.

Kjo normë është më e ulët se rritja ekonomike që Kosova kishte para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet dhe është larg asaj që i duhet vendit për ta ndryshuar realisht jetën e qytetarëve”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Në vend të politikave që tërheqin investime, rrisin prodhimin dhe krijojnë vende pune që paguhen mirë, kjo qeveri është përcaktuar ta administrojë varfërinë përmes ndihmave që jepen kohë pas kohe. Me këtë qeveri, nuk pritet zhvillim”. Më pesimiste se parashikimet e FMN-së janë ato të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Ekonomia u rrit për 3.6 për qind gjatë 2025-s dhe sipas raportit të BQK-së, të publikuar në fillim të muajt, në 2026-n nuk do të arrihet ky nivel rritjeje. “Për vitin 2026, projeksionet e BQK-sё sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të shënojë rritje prej 3.5 pёr qind.

Rritja pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, përkatësisht nga konsumi dhe eksportet, ndërsa sfidat në tregtinë ndërkombëtare dhe pasiguritë globale mund të kenë ndikim të vazhdueshëm negativ në ritmin e rritjes ekonomike.

Faktorët që pritet të ndikojnë në këtë rritje janë të ardhurat nga diaspora dhe stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, që mund të ndikojnë në rritjen e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve. Kërkesa e brendshme pritet të kontribuojë me 3.0 pikë përqindje në rritjen e BPV-së.

Konsumi privat pritet të kontribuojë me 3.3 pikë përqindje, i mbështetur nga rritja e remitencave, kompensimi i punëtorëve dhe kredive personale”, thuhet në raport. “Investimet pritet të kontribuojnë negativisht me 1.0 pikë përqindje.

Eksporti i mallrave dhe shërbimeve pritet të ndikojë pozitivisht me 2.9 pikë përqindje, veçanërisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të diasporës, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të kontribuojë negativisht me 1.5 pikë përqindje, duke bërë që eksportet neto të kenë kontribut pozitiv prej 1.4 pikë përqindje në rritjen ekonomike”.

Në raportin e BQK-së thuhet se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve dhe pasigurive që mund të ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik. Në të theksohet se tensionet gjeopolitike mund të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit, me efekte të mundshme negative në tregti dhe investime.

Po ashtu, thuhet se ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik në BE paraqet faktor pasigurie për rritjen ekonomike të Kosovës, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta tregtare dhe financiare. E, sipas FMN-së ekonomitë e vogla evropiane, siç është edhe ajo e Kosovës, pritet të vazhdojnë të tejkalojnë ritmin e rritjes së eurozonës edhe në fund të kësaj dekade, pavarësisht sfidave.

Raporti thekson gjithashtu se për të ruajtur rritjen afatgjatë, vendet duhet të investojnë më shumë në infrastrukturë, arsim dhe inovacion, si dhe të forcojnë financat publike, në mënyrë që rritja ekonomike të mbështetet gjithnjë e më shumë në produktivitet dhe jo vetëm në zgjerimin e tregut të punës.

Bashkimi Evropian në tërësi pritet të ketë rritje mesatare prej 1.4 për qind në vit, ndërsa ekonomia globale rreth 3.2 për qind. Azia në zhvillim pritet të zgjerohet me 4.6 për qind në vit, India me 6.5 për qind dhe Afrika Sub-Sahariane me 4.6 për qind.

Burimi: Koha