Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Vushtrri

0%

Shpërndaje në: Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radomir Deliq i dyshuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile” në komunën e Vushtrrisë. Sipas aktakuzës, R.D., ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë, më kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila si pasojë e plagëve të marra kishte humbur jetën.

Prokuroria e akuzon gjithashtu se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë, si dhe në kryerjen e veprimeve të trajtimit çnjerëzor, torturës, plaçkitjes dhe dëbimit të popullsisë civile shqiptare.

Lënda i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i akuzuari ndodhet në paraburgim. I njohur me nofkën “Bate”, Deliqi ishte arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar nga Policia e Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Prokurorisë, ai ka qenë pjesëtar i njësive speciale serbe dhe në mënyrë të organizuar dhe të drejtpërdrejtë ka marrë pjesë në privimin nga jeta të popullsisë shqiptare. Në kërkesën e cila ishte bërë për paraburgim Prokuroria ka pretenduar se ka prova të mjaftueshme e deklarata dëshmitarësh që e lidhin Deliqin me krimet e kryera gjatë luftës.

“I dyshuari i lartcekur, i uniformuar, duke vepruar si zyrtar i MUP-it serb, së bashku me forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Serbisë, me dashje, planifikim paraprak dhe role të ndara paraprakisht, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë kryer veprime të kundërligjshme kundër popullatës civile të paarmatosur dhe të papërfshirë në luftë, duke përfshirë vrasje, trajtim çnjerëzor, torturim, frikësim, shkatërrim të pasurisë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Në kërkesë theksohet gjithashtu se pas ekzekutimit, trupat e viktimave janë larguar në drejtim të Mitrovicës. “Konkretisht në oborrin e shtëpisë së R.Gj. ka shtënë me armë zjarri të tipit AK-47 disa herë rafal në drejtim viktimës Sh.D. duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithashtu i dyshuari në datën e njëjtë rreth orës në shtëpinë e K.P. ka marrë pjesë në vrasjen e 71 viktimave civile shqiptare të paarmatosura dhe të papërfshira në luftë, të cilët futen në oborrin dhe në shtëpinë e K. P. dhe ekzekutohen.

Pas vrasjeve, trupat e viktimave shqiptare largohen nga vendi i krimit dhe dërgohen në drejtim të Mitrovicës nga forcat serbe”, thuhet në kërkesë për caktim të paraburgimit.

Burimi: Koha