Legjenda suedeze e futbollit, Zlatan Ibrahimoviç, nuk i kurseu kritikat ndaj Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas humbjes së thellë 4:1 ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026. I ftuar në studion e Fox Sports, ish-sulmuesi suedez vlerësoi rrugëtimin e amerikanëve në turne, por theksoi se diferenca në cilësi mes dy skuadrave ishte e dukshme.
“Reagimi im i parë është se ata luajtën kundër një ekipi më të mirë. Në letër, Belgjika është më e fortë se SHBA-ja”, deklaroi Ibrahimoviç. Sipas tij, skuadra amerikane bëri paraqitjen më të dobët pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të turneut.
“Kjo ishte ndeshja më e keqe që SHBA-ja zhvilloi në këtë Botëror, por duhet pranuar se përballë kishte një kundërshtar të nivelit shumë të lartë”, shtoi ai. Megjithatë, Ibrahimoviç beson se amerikanët nuk duhet të ndihen të dështuar, pasi sipas tij kanë zhvilluar një turne pozitiv. “SHBA-ja duhet të jetë krenare.
Ata patën një rrugëtim të mirë në këtë Botëror dhe nuk zhgënjyen në ndeshjet e tjera. Rezultati i sotëm nuk është i mirë, por në përgjithësi dhanë maksimumin e mundshëm ”, u shpreh ish-sulmuesi. Në fund, suedezi e cilësoi eliminimin si një mësim të rëndësishëm për futbollin amerikan.
“Mund të kesh edhe fat dhe të shkosh më larg, por mendoj se kjo humbje ishte një kontroll realiteti për SHBA-në”, përfundoi Ibrahimoviç.
