Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Vajza e vogël e David dhe Victoria Beckham, Harper Beckham, pritet ta festojë ditëlindjen e saj të 15-të më 10 korrik, por sipas mediave britanike, atmosfera në familje vazhdon të rëndohet nga marrëdhëniet e ftohta me vëllain e madh, Brooklyn Beckham.
Sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, Harper është e mërzitur që Brooklyn vazhdon të mos ketë kontakt me familjen dhe ka frikë se, për të dytin vit radhazi, nuk do të marrë asnjë urim prej tij. “Ajo është e thyer shpirtërisht dhe e dëshpëruar nga vendimi i vëllait të saj për të mos folur me të.
Ata kanë qenë shumë të afërt, ndërsa tani ai nuk komunikon me të dhe ajo nuk e kupton arsyen. Nuk ka gjë më të dhimbshme për Harper sesa të injorohet nga vëllai në ditëlindjen e saj”, ka thënë burimi. Sipas të njëjtit burim, Harper dëshiron vetëm të ketë një marrëdhënie normale me vëllain e madh. “Gjithçka që ajo dëshiron është të ketë një marrëdhënie me vëllain e saj.
Është shumë e dhimbshme edhe për Davidin dhe Victorian ta shohin këtë situatë”, ka shtuar burimi. Përçarja në familjen Beckham u bë publike në vitin 2025, kur Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, munguan në festimet për 50-vjetorin e lindjes së Davidit. Më pas, në muajin janar, Brooklyn ka publikuar një deklaratë në rrjetet sociale.
“Kam heshtur për vite me radhë dhe kam bërë çdo përpjekje që këto çështje të mbeten private. Nuk dua të pajtohem me familjen time. Askush nuk më kontrollon. Për herë të parë në jetën time po mbroj veten”, pati shkruar ai. Brooklyn akuzoi gjithashtu prindërit se kanë ndikuar në mënyrën se si është paraqitur historia e familjes në media.
Megjithatë, David dhe Victoria kanë vazhduar të shprehin publikisht mbështetjen për djalin e tyre të madh dhe herë pas here publikojnë fotografi familjare ku përfshihet edhe ai, duke lënë të kuptohet se ende shpresojnë për pajtim.
