Ka nisur sot kampi treditor i Kombëtares U17 (vajzat) me talentet e Diasporës. Nën drejtimin e përzgjedhëses Sanije Krasniqi dhe stafit të saj, gjatë këtij grumbullimi do të punohet me 29 futbolliste të gjeneratave 2010, 2011 dhe 2012. Në ditën e parë, vajzat që për herë të parë veshën fanellën dardane u shfaqën mjaft entuziaste dhe të motivuara për mundësinë e ofruar.
Gjatë seancës stërvitore ato u angazhuan maksimalisht për të treguar vlerat dhe potencialin e tyre. Edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, stafi i Kombëtares U17 do të ketë mundësinë t’i vlerësojë nga afër cilësitë e secilës futbolliste, ndërsa më të dalluarat do të përzgjidhen për Kombëtaret U15 dhe U17.