Kryeministri Rama po mban podcastin e tij të përjavshëm “Flasim” edhe këtë të diel, 5 korrik. Foli fillimisht për partneritetin midis “Fincatieri” dhe kompanisë “Kayo”. Sipas kryeministrit Rama, industria ushtarake do të rilindë. “Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave të Armatosura.
Kapitulli i ri është jo vetëm fuqizimi i sistemit mbrojtës, por rilindja e industrisë ushtarake. Këtë javë, partneriteti me Fincatierin u shtri në bashkëpunim dhe me shkollën industriale Pavarësia në Vlorë. Pasi në kantierin e ri të Pashaalimanit, baza prodhuese do kërkojë 500 të reja dhe të rinj, prandaj është bërë kjo marrëveshje.
Do nisë puna për trajnimin e të rinjve, që do punojnë këtu”, deklaroi Rama. Më tej, komentoi si zhvillim të javës edhe vizitën në Bochum të Gjermanisë, ku deklaroi se Shqipëria vazhdon që të marrë mbështetje për integrimin në BE. “Mora pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Teknologjisë në Bochum të Gjermanisë. Prezantova transformimet që kemi bërë në Shqipëri me digjitalizimin.
E kemi modernizuar qeverisjen përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Takova dhe kryeministrin e landit gjerman, që është një mik që është interesuar për integrimin e vendit tonë në BE. Me të fola për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Qershia mbi tortë ishte intervista për DË, ku u surprizova për mënyrën sesi gazetarja e kishte gëlltitur çorbën e të pavërtetës. Gazetarja nuk e fshehu se ishte pjesë e kampit, që e kthyen Shqipërinë në një arenë, për ta bërë luftën me Trump. Toka publike nuk është shitur. Zvërneci është tokë private dhe ne po negociojmë partneritetin. Shteti do jetë ortak në sipërmarrje.
Nuk ka shitje të tokës publike. Do e mbrojmë edhe natyrën. Nuk bëjmë asgjë që bie ndesh me BE-në”, tha kreu i qeverisë.
