Cole Palmer ka thyer heshtjen pasi u la jashtë skuadrës së Anglisë për Botërorin 2026. Mesfushori ofensiv i Chelseat, i cili ishte një nga heronjtë e Anglisë në Euro 2024, është detyruar ta ndjekë turneun nga larg, pasi trajneri Thomas Tuchel vendosi t’u besojë opsioneve të tjera në repartin ofensiv. 23-vjeçari pranoi se mungesa në listën e Anglisë për Kupën e Botës ishte një zhgënjim i madh.
Pavarësisht se konsiderohet një nga futbollistët më teknikë të Premierligës, ish-lojtari i Manchester City mbeti jashtë listës me 26 lojtarë që po garojnë në Amerikën e Veriut. Duke folur për “The Times”, Palmer tha: “Çdo futbollist dëshiron të jetë në Botëror. Por është një vendim që nuk mund ta ndryshoj dhe ka qenë i vështirë për ta pranuar, pavarësisht arsyes.
Tani po përpiqem thjesht ta shijoj verën pushim – është vera e parë që kam ndonjëherë pa futboll”. Pas përfundimit të sezonit, Palmer është parë duke kaluar pushimet në Ibiza, ndërsa synon të rikuperohet pas një sezoni të vështirë, ku statistikat e tij ranë në krahasim me sezonin e shkëlqyer që pati pas shpërthimit të tij te Chelsea.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, shpjegoi hapur arsyet pse ylli i Chelseat nuk u përfshi në listën përfundimtare. Sipas tij, Palmer vuajti nga mungesa e vazhdimësisë në paraqitje dhe problemet fizike gjatë sezonit. “Mendoj se ai po vuan nga mungesa e formës individuale te klubi. Nuk ishte aq vendimtar apo ndikues sa kishte qenë në sezonet e kaluara gjatë gjithë sezonit.
Së dyti, ai nuk pati ndikim të madh as me ne. Statistikat e tij me kombëtaren nuk ishin të jashtëzakonshme, nuk ishin mjaftueshëm të mira që të thoshim: ‘Pavarësisht gjithçkaje, ai do të vijë’. Ky është realiteti. Ai u detyrua të largohej disa herë nga grumbullimi për shkak të dëmtimeve dhe, kur ishte me ne, nuk pati ndikimin që të gjithë prisnim”, deklaroi Tuchel.
Pavarësisht këtij vlerësimi, Palmer beson se ai do t’i kishte ofruar Anglisë diçka ndryshe nga lojtarët që u përzgjodhën. “Unë e di se çfarë mund t’i kisha ofruar skuadrës – diçka ndryshe nga ajo që ka zgjedhur trajneri. Por, siç e kam thënë edhe më parë, nuk mund ta ndryshoj vendimin dhe i uroj të gjithëve suksese”, u shpreh ai.
Palmer shtoi se ky refuzim do ta motivojë edhe më shumë për sezonin e ardhshëm. “Është si çdo gjë tjetër. Kur të thonë në thelb se nuk je mjaftueshëm i mirë, atëherë dëshiron edhe më shumë t’u provosh njerëzve se e kanë gabim”.
