“Kur vritet njeriu, plagoset shoqëria, kur vritet ndërgjegjja,

0%

Pas valës së ngjarjeve tragjike që tronditën Kosovën ditëve të fundit, kryetari i Bashkësisë Islame për Deçan, Naser Tolaj, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm, duke bërë thirrje për reflektim, unitet dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes. Në një shkrim të gjatë me titull “Kur vritet njeriu, plagoset shoqëria.

Kur vritet ndërgjegjja, rrezikohet atdheu”, Tolaj thotë se vrasja e një njeriu është tragjedi, por edhe më e rëndë është kur shoqëria humbet ndjenjën e dhembshurisë dhe e zëvendëson atë me urrejtje.

Ai i referohet disa prej ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin, përfshirë vrasjen e imamit në Dragash, plagosjen e katër personave në Podujevë – tre prej tyre familjarë dhe një kalimtar i rastit – si dhe vrasjen e një të riu në Ferizaj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Tolajt, këto ngjarje nuk duhet të shërbejnë për të nxitur përçarje fetare apo gjuhë urrejtjeje, por për të forcuar përgjegjësinë kolektive ndaj jetës njerëzore. “Krimi nuk lind nga arma, arma është vetëm mjeti.

Krimi lind në zemrën që është zbrazur nga morali, në mendjen që nuk është edukuar me përgjegjësi dhe në shpirtin që nuk e ndien peshën e llogaridhënies para Zotit”, shkruan ai.

Tolaj shpreh shqetësim të veçantë për komentet fyese dhe gjuhën denigruese që, sipas tij, u shfaqën në rrjetet sociale pas vrasjes së imamit në Dragash, duke theksuar se liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në të drejtë për të nxitur urrejtje ndaj besimit apo dinjitetit të tjetrit.

Në reagimin e tij, ai kujton se shqiptaria historikisht është ndërtuar mbi besën, nderin, mikpritjen dhe respektin për jetën njerëzore, e jo mbi përçarjen fetare, ndërsa sjell në vëmendje edhe figura të shquara të historisë shqiptare, si Hasan Tahsini, Hoxhë Kadri Prishtina dhe Ymer Prizreni, të cilët, sipas tij, e dëshmuan se atdhedashuria dhe besimi nuk janë kundërshtarë, por vlera që ecin së bashku.

Duke cituar edhe ajete kuranore dhe hadithe të Profetit Muhamed a.s., Tolaj thekson se Islami e konsideron jetën njerëzore të shenjtë dhe ndalon padrejtësinë, urrejtjen dhe nxitjen e armiqësisë. Në fund të reagimit, ai bën thirrje që shoqëria të investojë më shumë në edukim, familje, moral dhe drejtësi, duke theksuar se burgjet nuk mjaftojnë nëse nuk ndërtohet karakteri i njeriut.

“Çdo vrasje duhet dënuar pa mëdyshje, çdo gjuhë urrejtjeje duhet refuzuar pa dallim. Ne nuk kemi nevojë për më shumë urrejtje, por për më shumë drejtësi, edukatë, përgjegjësi dhe dashuri për njeriun”, përfundon mesazhin e tij kryetari i Bashkësisë Islame për Deçan, Naser Tolaj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com