Coleen i jep këshilla një lexuesi, të cilit gruaja e mikut u përpoq t’i jepte një puthje, ndërsa bashkëshortja e tij ishte jashtë dhomës. Tani ai nuk di çfarë të mendojë – a duhet t’ia tregojë të vërtetën gruas? Lexuesi shkruan: “Mbeta në divan me gruan e tij dhe ajo u afrua duke u përpjekur të më puthte.”
E dashur Coleen, Jam një burrë në të 30-at dhe unë me bashkëshorten time jemi miq shumë të mirë me një çift tjetër, me të cilët do të shkojmë për pushime muajin e ardhshëm. Një natë më parë dolëm për të pirë diçka dhe për të diskutuar organizimin e pushimeve.
Siç ndodh zakonisht, pimë pak më shumë se ç’duhej, ndaj çifti vendosi të flinte në shtëpinë tonë në vend që të merrte një taksi për t’u kthyer. Gruaja ime dhe shoku im shkuan në kuzhinë për të bërë kafe – bashkëshortja ime kishte marrë së fundmi për ditëlindje një aparat të ri e modern kafeje dhe ai donte ta shihte.
Unë mbeta në divan me gruan e tij dhe ajo u afrua duke u përpjekur të më puthte. U largova menjëherë, u ngrita në këmbë dhe, pikërisht në atë moment, dy të tjerët u kthyen në dhomë me pijet. Nuk di çfarë të mendoj. A ishte thjesht shumë e dehur apo vërtet dëshiron të ketë një lidhje me mua? S’ka nevojë ta them se do të doja ta anulonim këtë pushim.
E di që nëse ia tregoj gruas sime, ajo do të tronditet dhe miqësia e saj me këtë grua do të marrë fund. Nuk besoj se as burri i saj do ta priste mirë këtë. Çfarë duhet të bëj? Ta injoroj apo të them diçka? Nuk jam gjendur kurrë më parë në një situatë të tillë dhe nuk i kam dhënë asnjëherë asaj ndonjë shenjë inkurajimi. E dua gruan time dhe nuk do ta tradhtoja.
Coleen përgjigjet: Situatë shumë e sikletshme. Nëse ajo kishte pirë tepër, mund të jetë duke menduar edhe vetë: “Çfarë bëra?” dhe ndoshta po ndihet shumë keq me veten tani. Mund të jetë jashtëzakonisht e turpëruar. Po të mos kishit planifikuar të shkonit bashkë me pushime, ndoshta do të të këshilloja ta lije me kaq këtë herë, për të shmangur më shumë siklet për të dy.
Megjithatë, duke qenë se do të kaloni pushimet së bashku, mendoj se duhet ta veçosh pak para udhëtimit dhe t’i thuash diçka të tillë: “Po e konsideroj atë që ndodhi atë natë si pasojë e dehjes, por dua të të them se nuk mund të përsëritet më, sepse jam i martuar i lumtur dhe nuk kam interes për askënd tjetër.” Shpresoj që kjo ta sqarojë situatën, edhe pse mund të jetë pak e pakëndshme.
Por, nëse ajo përpiqet përsëri ose të bën të ditur se ka ndjenja për ty, duhet t’i bësh shumë të qartë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ajo nuk po sillet si një mike e mirë ndaj bashkëshortes sate, ndaj, po të isha në vendin tënd, do t’i shmangia takimet në çift.
Mund ta takosh ende burrin e saj për ndonjë birrë, nëse dëshiron, por mendoj se kjo miqësi mes çifteve është afruar më shumë seç duhet. Gjithashtu, bëj kujdes gjatë pushimeve, sepse, edhe nëse nuk e pranon, një situatë e tillë mund t’i bëjë mirë egos së dikujt. Mos u tundo të flirtosh, qoftë edhe pak, dhe ki kujdes me koktejet e pushimeve.
Fjala e urtë e Coleen Një mënyrë shumë e thjeshtë për të ulur stresin dhe për të fjetur më mirë është të organizosh ditën tënde një natë më parë. Shkruaji prioritetet e tua, në mënyrë që të zgjohesh me një plan të qartë për ditën që të pret.
