Publikohet raporti i BIRN Kosova për sigurinë dhe shëndetin në punë

0%

BIRN Kosova, në bashkëpunim me Advocacy Training and Resource Center (ATRC) dhe Jahjaga Foundation, ka publikuar sot, më raportin “Sfidat sistematike të trajtimit të krimeve nga siguria dhe shëndeti në punë”. Raporti tregon për sfidat kryesore që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, duke evidentuar mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve nga institucionet shtetërore.

Sipas të dhënave, në Kosovë gjatë tri viteve të fundit rreth 40 persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se qëllimi i bashkëpunimit ndërmjet tri organizatave ka qenë që vëmendja të fokusohet te të drejtat e punëtorëve dhe sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë në këtë fushë.

Ajo theksoi se Kosova vazhdon të përballet me probleme në zbatimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, duke shtuar se diskriminimi i grave në tregun e punës, ende mbetet një çështje shqetësuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj edhe pse gratë përballen me diskriminim dhe mungesë të mundësive të punësimit, numri më i madh i viktimave nga aksidentet në vendin e punës vazhdon të jetë te burrat. “Krejt qëllimi i kësaj iniciative të tre organizatave ka qenë me e koncentruar vëmendjen te të drejtat e punëtorëve.

Kosova vazhdon me pas sfidë të madhe zbatimin e ligjit të punës edhe ligjit për siguri e shëndet në punë. Gratë vazhdojnë me u diskriminu dhe mos me pas punë të mjaftueshme në Kosovë.

Gratë kanë problem në siguri në punë, por edhe më problem kanë burrat. 40 vdekje kanë ndodhur në në punë prej që kemi filluar me e monitoruar projektin, që do të thotë tre vitet e fundit, rreth 40 njerëz kanë vdekur në puna.”– theksoi Xharra.

I pranishëm në lansimin e këtij raporti ishte edhe Zëvendësministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Agon Dobruna, i cili tha se Ministria është duke punuar në avancimin e legjislacionit që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai bëri të ditur se është në proces hartimi projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

“Jemi duke punuar në hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe modernizimin e projektligjit të punës.

Gjithashtu jemi duke avancuar me ligjin e ri për ligjin e ri për Inspektoratin Qendror të Punës me synim për të krijuar një sistem më efikas, më funksional dhe më të përkushtuar për nevojat reale të tregut të punës dhe standarteve evropiane.”– tha Dobruna.

Gjetjet e raportit Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan nga Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, dhe Laurant Berisha nga BIRN Kosova, të cilët shpjeguan mënyrën se si institucionet shtetërore kanë trajtuar rastet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Gashi bëri të ditur se raporti është bazuar në analizimin e dhjetëra lëndëve gjyqësore dhe dosjeve administrative, nga Inspektorati i Punës e deri te vendimet e gjykatave.

“Gjatë hartimit të këtij raporti ne kemi analizuar 37 lëndë gjyqësore të cilat janë të përfunduara, pra janë marrë lëndë, janë kopjuar dhe kolegët janë ulur dhe i kanë analizuar prej punës fillestare qysh është kryer, qoftë prej inspektoriatit, qoftë prej policisë, qoftë prej prokurorit e deri te vendimi final nëse ai ka qenë në gjykatën themelore apo në Gjykatën e Apelit.

Janë nëntë vendimet e gjykatës së Apelit të analizuara dhe janë 25 dosje administrative të inspektoriatit të punës, të cilat po ashtu i kemi analizuar si pjesë e këtij procesi.”- theksoi Gashi. Tutje, Laurant Berisha tregoi se një pjesë e analizës është përqendruar te vepra penale që lidhet me asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës.

Sipas tij, ligji obligon punëdhënësit që të vendosin masat mbrojtëse në punë, mirëpo në shumë raste kjo nuk ndodh. Sipas tij, kjo po e rrezikon jetën e punëtorëve e po shkakton edhe pasoja fatale. “Atkgjykimet të cilat ne ikemi analizuar për veprën penale të nenit 358 ka të bëjë pra me asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse.

Pra një punëdhënës është i obliguar që kur t’ja nisë me punu me i vendos të gjitha ato masa, por në të shumtën e rasteve punëdhënësit pra nuk i vendosin këto masa duke rrezikuar jetën punëtorëve e me raste të caktuara duke pasur edhe fatalitet.”- deklaroi Berisha. Ndërkaq, Kreshnik Gashi tutje i shpalosi gjetjet kryesore të raportit.

Ai tha se një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me mënyrën se si institucionet e drejtësisë e interpretojnë veprën penale që ka të bëjë me mosvendosjen e pajisjeve mbrojtëse. Sipas tij, nga të dhënat e Inspektoratit të Punës dhe bisedat me Prokurorinë e Shtetit rezulton se në praktikë bizneset nuk ndiqen penalisht derisa të ketë një viktimë.

Për këtë Gashi tha se zakonisht po përballen vetëm me gjoba administrative dhe jo me pasoja të tjera ligjore. “Çka është elementi kryesor i kësaj gjetje të cilën kemi identifikuar dhe kemi dashur me i shku më thellë edhe normës edhe veprës penale, por dhe mënyrës se si po trajtohet kjo vepër penale.

Ajo që ne kemi gjetur prej të dhënave të Inspektoriatit të Punës, por dhe prej bisedave me prokurorinë e shtetit është që brenda sistemit ka një qëndrim që në rast se biznesi nuk i instalon pajisjet dhe e lë biznesin me qenë i rrezikshëm për punëtorët, ai nuk do të ndëshkohet penalisht deri në momentin kur e kemi një viktimë.

Të gjitha bizneset të cilat po konstatohet që nuk i kanë instaluar pajisjet mbrojtëse, që e kanë rrezikuar vendin e punës, që e kanë lënë punishten e vet të rrezikar, po amnestohen, nuk po ndëshkohen penalisht dhe ata po përfundojnë vetëm me gjobat administrative të inspektoriatit të punës.”– potencoi Gashi.

Gashi shtoi se në shumicën e rasteve punëdhënësit pranojnë fajësinë dhe procedurat përfundojnë me marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke rezultuar kryesisht me dënime me gjobë. Sipas tij, ky rezultat nuk siguron drejtësi për viktimat, pasi dënimet nuk prodhojnë pasoja të tjera ligjore për këta punëdhënës.

“Në pjesën më të madhe të rasteve të cilat i kemi analizuar, punëdhënësi ka shkuar në prokurori, e ka pranuar fajësinë dhe kemi shkuar me marrëveshjen për pranimin e fajësisë që është një procedurë shumë e lehtë edhe për punëdhënësin edhe për prokurorin. Mirëpo në këto raste e dhëna apo rezultati final neve po na del jo i drejtë në raport me viktimën.

Pse po na del jo i drejtë në raport me viktimën? Për shkak se punëdhënësi kryesisht është duke u ndëshkuar me gjobë dhe si rezultat i ndëshkimit me gjobë ai nuk ka asnjë pasojë juridike prej atij dënimi që nënkupton ai nuk i humb tenderet, ai nuk e humb të drejtat të cilat i ka pas për shkak të shkeljes së ligjit të punës.”– tha Gashi.

Ai poashtu tregoi se në këto raste, viktima nuk ka të drejtë ankese në raport me dënimin që ipet ndaj punëdhënësit. Raporti “Sfidat sistematike të trajtimit të krimeve nga siguria dhe shendeti në punë” pati filluar në vitin 2022, ndërsa pjesa e parë e tij ishte publikuar në vitin 2023.

Burimi: Kallxo