Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë për “Krime lufte kundër popoullsisë civile”. Prokuroria Speciale në rastin e parë, ka ngritur aktakuzë ndaj J.J. dhe A.S.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, ish gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje.Po ashtu, ata i kanë kanosur seriozisht me vrasje.
Ndërsa, në rastin e dytë, PSRK ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurave me inicialet: L.S., D.L., S.A., B.S. Sipas aktakuzës të pandehurat akuzohen se, në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike.
