Braho: Imuniteti i deputetëve vështirëson zhvillimin e hetimeve! SPAK

0%

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, gjatë seancës dëgjimore mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2025 në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, tha se imuniteti i deputetëve vështirëson zhvillimin e hetimeve. Braho tha se një deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit.

I pyetur në lidhje me rastin e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, Braho tha se “nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Qëndrimin e prokurorisë e keni të qartë, por kështu keni të qartë edhe mënyrën se si prokuroria ka vazhduar hetimet pas mospranimit të kërkesës”.

Ai shtoi se “faktet tregojnë që prokuroria ka bërë punën, të dyja së bashku këto elementë, sot nuk mund të para-shpall një vendimmarrje çështjesh në hetim. Ajo që garantoj është që do të jetë vendimmarrje e garantuar në ligj, në prova që siguroi hetimi duke marrë parasysh dhe arsyet se pse kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kreu i SPAK sqaroi se Kushtetuta ndalon vendosjen e masave të sigurimit pa miratimin e Kuvendit, por nuk pengon zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura. “Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura.

Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton, por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, tha Braho.

SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale, BKH-së ia lejon ligji arrestimet Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, tha sot se Policia e Shtetit mbetet partneri kryesor i Prokurorisë së Posaçme, por theksoi se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) duhet të kenë pavarësi procedurale dhe operacionale për të përmbushur me efikasitet misionin e tyre.

Gjatë raportimit në komisionin e për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit socialist Erjo Mile, i cili kërkoi sqarime për shtimin e operacioneve të BKH-së në terren pa asistencën e Policisë së Shtetit, duke iu referuar edhe arrestimit të Adi Çobës në Durrës.

Braho mohoi se kjo lidhet me mungesë besimi ndaj Policisë së Shtetit, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy institucioneve. “Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e Shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë.

Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë”, tha ai. Megjithatë, kreu i SPAK theksoi se BKH ka të drejtë ligjore të kryejë veprime procedurale, përfshirë arrestimin e personave në kërkim.

“Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale.

S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore.

Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë”, tha Braho.

Burimi: Bota Sot