Nis seanca për kërkesën e Prokurorisë për masë të sigurisë ndaj të

0%

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot më , ka nisur sërish seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarëve për kontrabandë më naftë, të cilët u arrestuan gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës më .

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktarit, Dashnim Miftarit, Adem Morinës, Muhamet Mazrek, Naser Morinës dhe Gazmend Qunit të dyshuar në këtë rast.

Fillimisht kjo seancë ishte paraparë të mbahej në orët e hershme të paraditës, mirëpo seanca nuk kishte arritur të mbahej, pasi mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit. Siç ka mësuar KALLXO.com gjyqtar në këtë rast është Vesel Ismailit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Siç mëson KALLXO.com, kjo kërkesë e mbrojtjes është refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në Prishtinë, dhe seanca është duke vazhduar me gjyqtarin Vesel Ismaili.

Avokati Arian Koci një një pronocim për media tha se e ka kundërshtuar procedurën e zhvilluar në seancën për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve në këtë rast duke thënë se afati ligjor i ndalimit prej 48 orësh kishte përfunduar para fillimit të shqyrtimit.

Koci, i cili përfaqëson njërin prej të dyshuarve, tha se mbrojtja kishte krijuar bindjen se Prokuroria ishte tërhequr nga kërkesa për paraburgim. “Afati prej 48 orëve me të cilin janë ndaluar të pandehurit ka kaluar për shkak të mungesës së Prokurorisë dhe ne menduam se Prokuroria është tërhequr nga kërkesa.

Pas një kohe ka ardhur Prokuroria në sallë dhe ne nuk mundemi me e leju këtë kundërligjshmëri. Po krijohen praktika të reja, po shkelen të drejtat e të pandehurve dhe kërkuam përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues gjyqtarit të lendes.”– ka deklaruar Koci.

Në këtë prononcim Koci kritikoi edhe përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke e cilësuar atë të paqartë. “Qasja e tillë jo serioze e Prokurorisë gjatë kësaj procedure është pasqyruar edhe në vetë kërkesën. Nuk e kemi të qartë se secilit çka pretendohet se ka kryer dhe cilat janë veprimet që ndërlidhen me veprat që ceken aty” – ka thënë ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zbardhur skemën e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kryer kontrabandë të derivateve, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. KALLXO.com sjell detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë Speciale , ku përshkruhen pretendimet e organit të akuzës për secilin nga nëntë të dyshuarit e arrestuar më .

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, në krye të këtij grupi qëndronte Faruk Mazrek (i njohur më parë si Faik Mazreku). Prokuroria dyshon se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale të trafikimit me narkotikë dhe se paratë janë futur në sistemin bankar përmes biznesit të tij “PO PETROLL FARIZ” në Mamushë.

Për të fshehur origjinën e vërtetë, ai pretendohet se ka marrë 4 kredi në vlerë prej 930 mijë eurosh, për të deklaruar qarkullim të madh financiar.

“…nga atëherë kanë filluar të deklarojnë qarkullim të madh financiar nga shtija e karburanteve dhe importit të naftës nga Republika e Shqipërisë, të cilën kinse ju shesin bizneseve të tjera në Kosovë, e në të vërtetë cisternat e biznesit të të pandehurve në Shqipëri ngarkohen me gjysmën e sasisë së naftës dhe gjysmën tjetër të ujit, kurse faturohen për tërë sasinë e naftës dhe në librat e kontabilitetit regjistrojnë shtije, ndërsa kompanitë e tjera blerjet e tyre nuk i regjistrojnë ashtu që në këtë mënyrë kryejnë fshehjen e origjinës se parave përmes transfereve bankare dhe paratë e pista i fusin në sistemin legal financiar.

Me këtë kishin kryer veprën penale ‘shpëlarje e parave’.”- thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale. Prokuroria pretendon se ai ka organizuar kontrabandimin e naftës nga Shqipëria përmes portit “Porto Romano”, duke e shitur naftën e vërtetë atje, ndërsa në Kosovë ka futur cisterna të mbushura me ujë për të shmangur kontrollin doganor.

Ai akuzohet gjithashtu për shmangie nga tatimi në shuma mbi 50 mijë euro dhe lëshim të faturave fiktive. Në bashkëkryerje të plotë me të dyshohet se ka vepruar edhe djali i tij, Fariz Mazrek.

Prokuroria Speciale pretendon se ai ka pasur njohuri të plota se pasuria e tyre rridhte nga trafikimi i narkotikëve dhe ka shfrytëzuar të njëjtin biznes për të deklaruar importe dhe qarkullime fiktive.

Sipas dosjes, ai dyshohet se është përfshirë në falsifikimin e librave të kontabilitetit duke regjistruar shitje të rreme të naftës që në të vërtetë ishte ujë, me qëllim që paratë e pista të futeshin në sistemin legal financiar.

Roli i të dyshuarit Skender Kelmendi, sipas pretendimeve të prokurorisë, ishte ndihma e vazhdueshme në pastrimin e parave të Mazrekëve përmes lëshimit të faturave fiktive për blerje të derivateve, gjë që sipas akuzës dëshmohet nga bisedat e përgjuara më 14 dhe .

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se gjatë kontrollit më , në shtëpinë e tij në Lipjan janë gjetur tri armë pa leje valide (të prodhuesve Zimmermann dhe CFS me afate të skaduara, si dhe një pistoletë HS).

Po ashtu, në pompën e tij të derivateve “EuroKos” në Shtime, atij i janë sekuestruar 298 euro në monedha metalike nga 2 euro të falsifikuara, të cilat dyshohet se synonte t’i vinte në qarkullim. Ndaj të dyshuarit Nisret Bajraktari, Prokuroria Speciale ka ngritur pretendime të ngjashme për ndihmë në pastrimin e parave.

Ai dyshohet se, duke pasur dijeni për origjinën kriminale të pasurisë së udhëheqësve të grupit, ka përdorur biznesin e tij për të lëshuar fatura fiktive të blerjes së derivateve të naftës nga kompania “PO PETROLL FARIZ”, duke bashkëpunuar në fshehjen e burimit të vërtetë të parave, veprime këto që prokuroria pretendon se dokumentohen gjithashtu nga transkripte të bisedave të përgjuara.

Për të dyshuarin Dashnim Miftari, si pronar i biznesit “Veda 2 Petroll SH.P.K”, Prokuroria Speciale pretendon se ka vepruar brenda grupit të organizuar kriminal të paktën që nga janari i vitit 2025.

Organi i akuzës dyshon se ai ka deklaruar importe të mëdha fiktive të naftës për biznesin e tij përmes Durrësit, duke lejuar që autobotet të kalonin kufirin e Kosovës me cisterna të mbushura kryesisht me ujë natyral, me qëllim shmangien nga tatimi dhe përfitimin e drejtpërdrejtë financiar.

I dyshuari Adem Morina, pronar i “Cini Oil SH.P.K.”, pretendohet nga prokuroria se ka pasur rol të njëjtë në kuadër të grupit kriminal.

Prokuroria Speciale dyshon se ai ka deklaruar importe të rreme të naftës për kompaninë e tij që nga janari i vitit 2025, duke u bërë pjesë e rrjetit që shmangte kontrollet doganore me cisterna që përmbanin vetëm 20% naftë dhe pjesën tjetër ujë, duke ndihmuar në fshehjen e veprimtarisë dhe shmangien e tatimeve.

Sa i përket të dyshuarit Muhamet Mazrek, pretendimet e prokurorisë e ngarkojnë atë me një rol operativ. Ai dyshohet se ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në transportin e derivateve, në modifikimin e mjeteve transportuese për t’iu përshtatur skemës së kontrabandës, si dhe në mbajtjen e kontakteve në mes të anëtarëve të grupit, duke ndihmuar në ndarjen e vendeve të cisternave ku fshihej uji.

Për të dyshuarin Naser Morina, prokuroria pretendon se ka shërbyer si vozitës i cisternave të biznesit “PO PETROLL FARIZ”.

Sipas akuzës, ai ka transportuar naftën nga Shqipëria duke pasur dijeni të plotë se mjetet transportuese ngarkoheshin me gjysmën e sasisë naftë dhe gjysmën tjetër ujë, duke kontribuar drejtpërdrejt në dorëzimin e ngarkesave fiktive dhe në futjen e parave të pista në sistemin financiar.

Kurse, për të dyshuarin Gazmen Quni (i njohur me nofkat “Haxhi” ose “Haxhi baba”), Prokuroria Speciale ka shpalosur pretendime për një rol teknik. Ai dyshohet se ka kryer modifikimet post-fabrikore në pjesën e brendshme të autoboteve.

Sipas akuzës, Quni ka ndërhyrë qëllimisht në cisterna duke krijuar komora të ndara sekrete, në mënyrë që 90% e hapësirës të mbushej me ujë natyral dhe vetëm pjesa e mbetur me naftë, duke mundësuar teknikisht shmangien e kontrollit doganor në kufirin e Kosovës.

Më , burimet e KALLXO.com kanë sqaruar skemën, e cila dyshohet se i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëme buxhetit të Republikës së Shqipërisë dhe ka ndërtuar një skemë të shpëlarjes së parave në Kosovë.

Sipas këtyre burimeve, ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës. Sipas burimeve, nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 cent më të shtrenjta se në Kosovë. Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.

Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.

Rrjeti, sipas burimeve, ka arritur që tutje të krijojë fatura fiktive të shitjeve në pompat e derivateve dhe në biznese të tjera të vendit, të cilat kishin arritur t’i arsyetonin importet dhe çmimet e shitjes. Skema, sipas burimeve, implikon edhe hetime të cilat zhvillohen në Shqipëri për rrjetin në fjalë.

Hulumtimet e mëhershme kishin dokumentuar se zona e veriut të Kosovës ishte përdorur për një skemë të ngjashme, ku për shkak të bllokadave dhe barrikadave, mauna të tëra të deklaruara si mauna me naftë ishin futur në Kosovë, ndërsa në realitet ato ishin të mbushura me ujë.

Hetimi, sipas burimeve të KALLXO.com, tani është fokusuar në shmangiet tatimore që bizneset në Kosovë kanë mundur t’i bëjnë për shkak të faturave fiktive.

Burimi: Kallxo